Sport

Gianni Infantino mbështet UEFA-në dhe kritikon Superligën Europiane


Presidenti i FIFA, Gianni Infantino nëpermjet një reagimi për mediat, ka shprehur gjithë mbështetjen e institucionit që drejton për UEFA. Ai ka kritikuar Superligën Europiane, e cila ka trazuar jo pak ujërat në futboll këto dy-tre ditët e fundit.

Që nga dita e diel, në momentin që u shpall zyrtarisht krijimi i Superligës Europiane, 12 klubet themeluese janë përballur me një valë kritikash.

Shumë zëra janë hedhur, se drejtuesit e këtyre klubeve po kërkojnë të “vrasin” futbollin dhe të mos luajnë bashkarishtë në një periudhë veçanërisht të vështirë që shoqërohet me krizën shëndetësore dhe financiare të shkaktuar nga Covid-19.

Ditën e hënë, kreu i UEFA, Aleksander Ceferin-i, ishte nga të parët që sulmoi Superligën, duke mos hezituar të drejtonte gishtin nga drejtuesit e saj dhe pikërisht te Presidenti i Juventus-it, Andrea Agnelli dhe ai i Manchester United-it, Ed Woodward-i.

“Gianni Infantino më ka premtuar mbështetjen e tij më të madhe. Ai është kundër Superligës. Ai do ta thotë këtë të martën”, vijoi të thoshte Ceferin-i të hënën.

Ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i Infantino-s, që siç edhe u paralajmërua nga Ceferin-i, ishte në mbështetje të UEFA dhe kundër krijimit të Superligës.

“Në FIFA, kundërshtojmë fuqimisht krijimin e një Superlige, e cila është një ndërprerje me institucionet aktuale, ligat, shoqatat, UEFA dhe FIFA”, tha Infantino.

“Unë do të jem jashtëzakonisht i qartë. FIFA u ndertua mbi vlerat e verteta te sportit. Statutet percaktojne rregullat e FIFA dhe UEFA”.

“Njerëzit duhet të mendojnë me shumë kujdes. Ata duhet të reflektojnë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre”.

“Është detyra ime dhe detyra jonë të mbrojmë modelin sportiv europian, garat e klubeve dhe ekipet kombëtare”.

“Nëse disa zgjedhin të ndjekin rrugën e tyre, atëherë ata duhet të marrin pasojat e zgjedhjes së tyre. Ata janë përgjegjës për zgjedhjet e tyre”.

“Klubet që largohen janë përgjegjëse për veprimet e tyre. Çdokush mund të flasë me ta, ta diskutojë, por ne gjithmonë duhet të respektojmë institucionet, historinë, pasionin e njerëzve në të gjithë botën”.

“Futbolli është shpresë dhe është përgjegjësia jonë ta ndërtojmë”, përfundoi Presidenti i FIFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore