Lajme

Giacobbe: Për SHBA-në sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe

I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe ka deklaruar se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm.

Giacobbe këtë e ka thënë gjatë takimit që ka zhvilluar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani të martën e 28 shtatorit.

Ai tutje ka shtuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra e duhur për të vazhduar tutje.

Në takimin mes Omanit dhe Giacobbe është diskutuar situata në vend pas vendimit të qeverisë për tabelat e përkohshme si masë reciproke me Serbinë, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj është në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të SHBA-ve, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me tabela është i ligjshëm. Ajo sipas njoftimit të presidencës thuhet se ka potencuar faktin se zbatimi i kësaj mase nga institucionet e Kosovës është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e akorduar mes palëve në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e shtetit serb.

Osmani  i ka bërë të qartë z.Giacobbe se Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën dhe se institucionet e saja janë të përkushtuara në rend dhe ligj duke mbrojtur secilin qytetarë të vendit.

Ndërsa sa i përket dialogut, Presidentja Omani i ka konfirmuar z.Giacobbe se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e dialogut si palë e barabartë.

Takim i Presidentes Osmani me të ngarkuarin amerikan me punë, Giacobbe vije një ditë para takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ku do të jetë i pranishëm edhe një nga zyrtarët e SHBA-ve përveç ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Takimi i paraparë për të mërkurën e 29 shtatorit është thirrur nga be, pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore