Lajme

Gëzim Ferizi shpallet i pafajshëm, akuzohej për manipulim me leje ndërtimore


Shpallja e aktgjykimit ndaj Gëzim Ferizit, foto: Betimi për Drejtësi.

Gëzim Ferizi, zyrtar në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, i cili ishte i akuzuar për manipulim me leje ndërtimore është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e ka bërë trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Dermaku, konsideron se nuk është provua se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqur kanë të drejtë ankese prej 15 ditësh pas marrjes së vendimit me shkrim.

Aktakuza ndaj Ferizit ishte ngritur më 25 janar të 2018, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizimit në Prishtinë, i cili thuhej se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhej se Gëzim Ferizi kishte nxjerrë dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

I njëjti akuzohej se më 22 mars të 2013, kishte përpiluar aktvendimin e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen Mati 1, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Ndërsa, më 10 qershor të 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, ku investitor është “NNH Morina IB”.

Në aktakuzë sqarohej se pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, e që në pjesën grafike, sipas aktakuzës, kishte përfshirë edhe ngastrën kadastrale 741/14, e cila rrugë evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Në bazë të aktakuzës, kjo rrugë kishte qenë rrugë publike e pakategorizuar, ndërsa me anë të këtyre lejeve, u ishte mundësuar investitorëve ndërtimi i objekteve afariste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore