Lajme

Gërvalla: Pesë vendet e BE-së që s’e kanë njohur Kosovën – s’kanë asnjë arsyeje për të mos ta bërë këtë


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për median spanjolle Internacional, ka theksuar se pesë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk kanë asnjë arsyeje për të mos ta bërë këtë.

Shpresoj që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë ende këtë, do ta bëjnë. Kur do të ndodh kjo varet nga përpjekja e bërë nga të dyja palët. Por nuk shoh asnjë arsye pse kjo të mos ndodh”, tha Gërvalla.

Po ashtu, ajo potencoi se është përpjekur që ta bind edhe Spanjën si njëra nga shtetet që nuk e ka njohur ende Kosovën, por shton se “mbetet shumë punë për t’u bërë”.

“Jemi përpjekur të kemi kontakte jo vetëm me politikën, por po mundohemi të lëvizim edhe në sfera të tjera të shoqërisë. Por, pavarësisht disa përparimeve, mbetet shumë punë për të bërë”.

Gërvalla thekson se lufta në Ukrainë ka shkaktuar frikën tek aleatët e Kosovës se mund të destabilizohet situata në Kosovë, për shkak të ndikimit të ushtruar nga Rusia në Serbi.

“Kjo është arsyeja pse aleatët perëndimorë po i bëjnë edhe një herë presion Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje dhe Beogradi të distancohet nga Moska”, shtoi ajo.

Ndërkaq sipas Gërvallës, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet vetëm nëse e dëshirojnë të dyja palët.

“Ne nuk e shohim se Serbia është e interesuar, ne shohim se Serbia është e interesuar për një konflikt të ngrirë, ndoshta në mënyrë që partnerët tanë të harrojnë se si e fituam pavarësinë. Pavarësia e Kosovës është padyshim rezultat i gjenocidit të Serbisë në vendin tonë”.

Kryediplomatja kosovare ka potencuar se problemi është leva që Serbia po përdor për të ndarë serbët e Kosovës nga qytetarët e tjerë”, duke shtuar se “ne nuk kemi nevojë për këtë”.

“Ka edhe grupe kriminale në veri të Kosovës që janë sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe. Por unë e kuptoj që popullata serbe e Kosovës është në një situatë shumë të keqe, për shkak të Beogradit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore