Lajme

Gërvalla përkujton babanë e xhaxhanë në 40 vjetorin e atentatit ndaj tyre në Gjermani


Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Të hënën e 17 janarit bëhen 40 vjet nga atentati ndaj vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Ministrja e Punëve t Jashtme dhe Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, njëherit e bija e Jusuf Gërvallës, ka bërë të ditur se së bashku me familjarët e me miqtë do t’i përkujtojnë të rënët me një ceremoni.

“Së bashku me miq të familjes, shokë të Babit dhe të Bacës Bardhosh, banorë të Dubovikut dhe qytetarë të moshave të ndryshme nga Dukagjini dhe e gjithë Kosova, familja jonë do të jetë nesër në orën 11 në vendlindjen tonë Dubovik, tek varrezat në të cilat pranë nënës Ajshe prehen nën bli, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla”, ka shkruar Gërvalla.

“Mirënjohja jonë e thellë iu përket të gjithë atyre, që prej katër dekadash na kanë qëndruar pranë duke na e bërë më të lehtë përballimin e këtyre ditëve jo të lehta për ne”, përfundoi Gërvalla.

Gërvalla ka ndarë një pjesë nga ditari i babait, 16 ditë pas largimit të tij nga Kosova.

30 dhjetor 1979, ora 00:45

“Pas të gjitha gjasave, Kosova ime po hy në rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjejë edhe shpëtimin”.

“Jetën po e jetoj falas, deri sa të më jepet rasti (nderi) që ta jap për Kosovën, Shqipërinë, për shqiptarizmin”, kishte shkrur Jusuf Gërvalla në ditarin e tij personal.

Jusuf Gèrvalla

Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore