Lajme

Gërvalla për median izraelite: Zbuluam mercenarë të Wagner’s në kufi – Serbia kontribuon në vrasjen e fëmijëve ukrainas


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për të përditshmen izrealite “Israel Hayom”, ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Izrael dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Më 1 shkurt të këtij viti janë bërë dy vjet që kur Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, por në Jerusalem ende nuk është emëruar ambasadori i Kosovës nga MPJ-ja, ndërsa në Prishtinë tashmë është akredituar si ambasadore Tamar Ziv.

Kur është pyetur se a ishte e lumtur me marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit dy vjet pas, ajo deklaroi se “ne jemi më shumë se të lumtur” teksa shtoi se çështja e ambasadorit do të marrë përgjigje në gjysmën e parë të këtij viti.

“Vendimi final nuk varet aq shumë në marrëdhëniet tona bilaterale, por më shumë në procesin që po vazhdon të ristrukturimit të shërbimit tonë diplomatik, që ta bëjmë shumë më efektiv”.

Ajo ka folur për potencialin përçarës të shkaktuar nga aleatët e ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi të cilët kanë ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin pas luftës në Ukrainë.

“Së fundmi, ne zbuluam mercenarët e Wagner’s në kufirin tonë dhe kontrabandën e armëve në Kosovë. Veprime të tjera të fshehta nga Rusia dhe Serbia po ndodhin në vende të tjera të rajonit”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja tha se institucionet kosovare e njohin shumë mirë historinë dhe rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, në regjimin e Sllobodan Millosheviç-it gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999.

“Vuçiç ishte ministri i tij i propagandës dhe Daçiç ishte dora e djathtë e tij gjatë luftës, masakrave dhe mizorive më të rënda ndaj vendit dhe popullit tonë, jo vetëm që nuk kërkuan falje, por edhe publikisht i nderojnë kriminelët e luftës dhe i mohojnë e falsifikojnë ngjarjet”, tha Gërvalla.

Ajo theksoi se Kosova, ashtu si Izraeli, është mësuar me “kërcënime të vazhdueshme”, duke theksuar se kosovarët janë pjesë e Perëndimit, ndërsa Serbia si përfaqësuese e Rusisë po kontribuon në vrajsen e fëmijëve ukrainas.

“Serbia është një përfaqësuese e Rusisë, jo vetëm në rajon, por gjithashtu përbën një kërcënim. Serbia është e angazhuar në marrëveshje armësh, financime dhe kontrabandë për luftën ruse, duke kontribuar kështu në vrasjen e fëmijëve dhe familjeve të pafajshme në Ukrainë”.

Ajo pohoi se arsyeja që kjo qasje agresive nuk po shndërrohet në konflikt të hapur është vetëpërmbajtja e qeverisë kosovare dhe prania e trupave amerikane në Kosovë, teksa shtoi se Perëndimi duhet të ndërmarrë veprime për të ruajtur rendin ndërkombëtar.

“Izraeli, Kosova dhe vendet e tjera, të vogla dhe të mëdha, duhet të investojnë shumë në mbrojtjen e këtij rendi të bazuar në rregulla. Nëse ne dështojmë të mbrojmë rendin tonë paqësor botëror, të gjithë mund të përfundojmë përsëri në një epokë lufte, por këtë herë një nivel krejtësisht të ndryshëm global”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore