Kosova

Gërvalla kritikon Borrell-in, i tregon si do të duhej të reagonte


“Çdo jetë ka rëndësi”, kështu ka shkruar në Twitter, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila i ka reaguar kryediplomatit evropian, Josep Borrell, pasi ky i fundit shkroi se Bashkimi Evropian nuk “toleron sulme ndaj EULEX-it”, siç ishte ai së shtunës në Veri, por diplomati spanjoll nuk i përmendi fare sulmet ndaj policëve të Kosovës.

“Borrell duhet të dënojë edhe të shtënat ndaj Policisë e Kosovës duke përmbushur detyrën e saj dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk dënojnë Vuçiç-in për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkroi Gërvalla.

Ndryshe, pjesëtarët e EULEX-it në veri të Kosovës janë sulmuar të shtunën me bombë afër Rudares, por asnjë nga ta nuk është lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, ka njoftuar EULEX-i.

Sipas EULEX-it, ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet”.

Nga EULEX-i kanë kërkuar që të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese, “si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore