Lajme

Gërvalla beson se Kosova dhe Serbia s’kanë arritur Marrëveshje në Ohër


Donika Gërvalla

Kosova dhe Serbia, beson ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 18 mars nuk kanë mundur të arrijnë një Marrëveshje për planin e zbatimit, kjo pasi që Serbia ka refuzuar nënshkrimin e saj.

Ani pse Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese e procesit ka deklaruar qartësisht se Marrëveshja për normalizimin e raporteve është ligjërisht e obligueshme edhe pa firmat zyrtare të dyja palëve, kryediplomatja kërkon që Unioni ta qortojë Serbinë për mos-konstruktivitet.

“E vërteta është se ne ende nuk kemi Marrëveshje me Serbinë. Ne ishim gati për një Marrëveshje, por çuditërisht Serbia nuk ishte gati për këtë. Serbia thjesht vazhdon lojën e saj të vjetër me deklarata dhe kur afrohet dita e nënshkrimeve, refuzon. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për të përditshmen portugeze, Diário de Notícias.

Gërvalla është shprehur e sigurt se kjo qasje refuzuese e Serbisë karshi dialogut nuk do të ndryshojë as në javët apo muajt e ardhshme.

Kur është pyetur për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Gërvalla ka deklaruar se pakicat në Kosovë, përfshirë edhe serbët, kanë të drejta të garantuara me Kushtetutën, prandaj ata nuk kanë nevojë për të drejta shtesë.

Gjithçka që mund të diskutohet në Bruksel mund të jetë më pak se ajo që është në Kushtetutën tonë dhe prandaj mendoj se i gjithë diskutimi për të drejtat e pakicave në Kosovë është një debat për të shkëputur vëmendjen nga problemi real, që është agresiviteti i Serbisë në rajon, jo vetëm Kosovën”, ka argumentuar ajo.

Një ndër nenet më të kontestuara të Marrëveshjes ka qenë neni 4, i cili në paragrafin e dytë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Gërvalla duke tentuar ta relativizojë mundësitë e vogla të Kosovës për anëtarësim në OKB ka thënë se “përvoja tashmë ka treguar që ju mund të mos jeni anëtar i OKB-së, por të jeni një vend shumë i suksesshëm”.

“Shembulli konkret është Zvicra, ata u bashkuan në Kombet e Bashkuara shumë vonë. Njëkohësisht është  qartë se anëtarësimi varet nga vetë Kosova, nga progresi i vendit, nga përmbushja e kritereve në zbatimin e shtetit ligjor demokratik. Këto duhet të jenë parimet që Kosova të mund të anëtarësohet”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore