Sport

Gerard Moreno hyn në historinë e Villareal-it


Futbollisti Gerard Moreno, ka hyrë në historinë e Villareal-it, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.

Me dy golat e realizuar mbrëmjen e së mërkurës ndaj Young Boys, në ndeshjen e grupeve të Ligës së Kampionëve, Moreno arriti shifrën e 85 golave me “nëndetësen e verdhë”.

Kështu spanjolli 29-vjeçar ka lënë prapa legjendën e klubit Villareal, Giuseppe Rossi-n me 82 gola në vendin e dytë, Diego Forlan në vendin e tretë me 58 gola, në vendin e katërt Santi Cazorla me 57 dhe Cedric Bakambu në vendin e pestë me 47 gola.

Kujtojmë që Moreno këtë shifër të golave e arriti në dy periudha me skuadrën e Villareal-it.

16 gola kishte shënuar në sezonet 2013 deri më 2015, pastaj u transferua te skuadra e Espanyol-it, ku luajti për tri vjet.

Më pas Villareal e bleu përsëri sulmuesin që e rriti në akademinë e tij, për shumën e 20 milionë eurove, i cili tani po gëzon formë të mirë, duke realizuar 66 gola në të gjitha garat.

Gjithashtu ai ka fituar edhe një vend te kombëtarja e Spanjës, ku deri më tani është ftuar në 17 takime zyrtare, prej të cilave ka shënuar edhe pesë gola.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore