Lajme

Gazprom-Evropës: Nuk garantojmë dot furnizim


“Rrethanat e jashtëzakonshme” e kanë bërë gjigandin rus të gazit natyror, Gazprom, t’i thotë shteteve evropiane dhe blerësve kryesorë energjetik për kompaninë, se e ka të pamundur të mundësojë furnizimin e pandërprerë.

Një lëvizje kjo, e cila e ngre edhe më tej tensionin në rrafshin e luftës në Ukrainë.

Letra në fakt daton më 14 korrik, por është bërë publike vetëm tani.

Në arsyetimin e dhënë nga kompania, prej 14 qershorit, pra në harkun kohor të një muaji, ka qenë shumë e vështirë të përmbushen kërkesat. Ndaj, do të duhej të shihej mundësia për ndërprerje të gazit natyror drejt kontinentin të vjetër.

Një pikë kontraktuale mes kompanisë dhe vendeve blerëse, e njohur ndryshe edhe si “akti i Zotit”, e zhbën detyrimin ligjor për të dhënë produktin në kohën dhe sasinë e kërkuar, nëse vërtetohen “rrethanat e jashtëzakonshme”, të cilat një kompani i pretendon.

Komenti i gjerë i Gazprom me arsyetimin përkatës ndërkaq, ende mungon, duke qenë se lëvizja nuk është përfundimtare.

Në Gjermani, shqetësimi ka filluar të jetë shumë i madh mbi çështjen, sepse familjarët mund të mbeten pa furnizim në muaj të mëvonshme.

Gazi aty nuk shërben vetëm për gatim, por është burimi kryesor i ngrohjes.

Frika se Moska të gjithë situatën po e përdor për të fituar terren në Ukrainë, është po ashtu e madhe.

Në formë shantazhuese, gazi mund përdoret për të krijuar lehtësim në sanksionet e perëndimit ndaj Moskës dhe për të fituar terren të mëtejshëm.

Nëse do të arrihet, është e vështirë të thuhet. Kërcënimi, mbetet i tillë dhe ekzistent; Gazprom mund ta mbyllë rubinetin e gazit…edhe pse jo plotësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore