Lajme

‘Gazetaria jo një rebelim’, Blinken kërkon lirimin e 7 të arrestuarve në Hong Kong


Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve kineze dhe të Hong Kongut që të lirojnë shtatë personat e lidhur me gazetën e pavarur tashmë të mbyllur “Stand News”, të cilët u arrestuan nën akuzat për kryengritje gjatë një sulmi policor të mërkurën.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë tha se “ne i bëjmë thirrje Republikës Popullore të Kinës (PRC) dhe autoriteteve të Hong Kongut që të pushojnë së synuari mediat e lira dhe të pavarura të Hong Kongut dhe të lirojnë menjëherë ata gazetarë dhe drejtues të mediave që janë arrestuar dhe akuzuar padrejtësisht”.

“Një qeveri e sigurt që nuk ka frikë nga e vërteta, përqafon një shtyp të lirë”.

Antony Blinken

Blinken tha se “gazetaria nuk është rebelim” dhe se “duke ju mbyllur gojën mediave të pavarura, PRC dhe autoritetet lokale minojnë besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e Hong Kongut”.

Shtatë të arrestuarit përfshijnë aktivistin e njohur të pop-it, Denise Ho dhe avokaten Margaret Ng, si dhe ish-kryeredaktorët Patrick Lam dhe Chung Pui-kuen. Ata u arrestuan për “komplot për të publikuar botime rebele”, një krim i dënueshëm me deri në dy vjet burg sipas një ligji të epokës koloniale.

Lam dhe Chung janë të dy të akuzuar, sipas mediave lokale, ndërsa të tjerët mbeten në paraburgim më shumë se 24 orë pasi u arrestuan. Policia tha gjithashtu se do të ndjekë penalisht kompaninë për rebelim.

Chung dhe Lam u dërguan në gjykatën West Kowloon të enjten, ku do të përmendet rasti kundër tyre, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Stand News u mbyll të mërkurën, më pak se 10 orë pas një bastisjeje në mëngjes, në të cilën më shumë se 200 oficerë policie kontrolluan redaksinë e saj.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare konfiskoi kutitë e provave dhe ngriu 61 milionë HK dollarë (7.8 milion dollarë) të aseteve të tij. Një person i shtatë, kontribuesi Chan Pui-man, i cili ishte gjithashtu redaktori i asociuar i gazetës “Apple Daily”, u arrestua më vonë të mërkurën.

Stand ka qenë media më e spikatur e mbetur pro-demokratike në qytet, pasi gazeta e saj më e madhe pro-demokratike, “Apple Daily”, u detyrua të mbyllej në qershor pas një goditjeje të ngjashme.

Liria e shtypit në Hong Kong

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i ka dënuar arrestimet.

Koordinatori i programit të tij në Azi, Steven Butler, i ka quajtur ato “një sulm të hapur ndaj lirisë tashmë të dëmtuar të shtypit të Hong Kong-ut, teksa Kina rrit kontrollin e drejtpërdrejtë mbi ish-koloninë”.

Autoritetet e Hong Kong-ut kanë qenë gjithnjë e më shumë duke shtypur disidencën në qytet, pas vendosjes së një ligji për sigurinë kombëtare.

Ligji i diskutueshëm kriminalizon përçarjen, përmbysjen dhe bashkëpunimin me forcat e huaja dhe parashikon një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Për kritikët, ligji redukton në mënyrë efektive autonominë gjyqësore të Hong Kong-ut dhe e ka bërë më të lehtë ndëshkimin e demonstruesve dhe aktivistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore