Sport

Gazetari i njohur italian i kushton një artikull të veçantë Zhegrovës


Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, ka shënuar një nga golat më të bukur në ligat e mëdha evropiane në fundjavën që lamë pas.

Ai shënoi golin e barazimit që skuadra e tij, Lille, e mori në udhëtim te Angers, në ndeshjen e vlefshme të javës së 32-të në ligën franceze.

Kjo ka bërë që shumë media evropiane të shkruajnë për futbollistin kosovar, derisa i fundit që i kushtoi një artikull, është gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio.

“Zhegrova kur ishte fëmijë e quanin ‘Messi i Kosovës’ dhe në moshën 12-vjeçare u zgjodh ndër më të mirët e kampit të Milan-it në Prishtinë”, fillon shkrimi i Di Marzios.

“Në xhiron kur u shënuan më së shumti gola në Ligue 1, më të bukurin prej tyre e realizoi Zhegrova i Lille. Goditja e tij me të majtën merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon në rrjetë në stilin ‘alla-Robben. Nuk është hera e parë që ai shënon kështu në karrierën e tij”

Më pas, gazetari italian përshkruan historinë e Zhegrovës, që nga lindja e tij e deri të përfaqësimi i kombëtareve.

“Ai lindi më 31 mars 1999 në Herford të Gjermanisë, ku prindërit e tij ishin vendosur për t’i shpëtuar luftës ballkanike.

“Zhegrova, tani 23 vjeç, mund të kishte luajtur me katër kombëtare: Gjermaninë, Shqipërinë, Belgjikën, ku u vendos që në moshën 15-vjeçare dhe Kosovën, kombëtaren të cilën më pas zgjodhi ta përfaqësonte. Zgjedhja e tij e zemrës.”

“Në YouTube ka ende video të tij kur kishte veshur fanellën e kuqezinjve të Flamurtarit, një klub profesionist në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës”, shkruan mes tjerash gazetari i njohur italian.

Në fund Di Marzio, theksoi faktin se nga Ligue 1 kanë dalë talentë të shumtë si: Nicolas Pepe, Victor Osimhen, Jonathan David, Rafael Leao, Sven Botman, Mike Maignan etj.

Ai më pas tha se klubi i Milan-it ndoshta e sheh përsëri një mundësi te Zhegrova, të cilin mund të tentojë që ta trasferojë në “San Siro”.

Kujtojmë që Edoni është pjesë e kampionëve të Francës që nga janari i këtij viti, kur u transferua nga skuadra e Basel-it për shumën e 7 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore