Lajme

Gazetaret që përhapën lajmin e vdekjes së Mahsa Amini-t akuzohen për spiunazh


Gazetare që bënë punën e tyre, duke denoncuar para botës atë që i kishte ndodhur Mahsa Amini-t, 22-vjeçares kurde e arrestuar nga policia morale iraniane për mosmbajtjen e duhur të hixhabit.

Nga e gjithë bota, njerëzit u mobilizuan më pas në solidaritet me gratë iraniane, por shumë pak u fol për ata që treguan faktet.

Niloofar Hamedi, gazetarja që publikoi për herë të parë foton e prindërve të Mahsa-s të përqafuar jashtë repartit ku ajo ishte shtruar dhe kolegia e saj Elahe Mohammadi, e cila tregoi për funeralin e të resë, të dyja janë arrestuar dhe përballen me dënimin me vdekje.

Bashkëshorti i Hamedi-t pak javë më parë kishte denoncuar transferimin e gruas së tij në burgun Evin, në veri të Teheranit, ku ajo ishte e mbyllur në izolim.

Avokati i gazetares, e cila punonte për të përditshmen pro-reformiste “Sharq”, shtoi se akuzat ndaj saj as nuk dihen.

Hamedi u arrestua pasi postoi në Twitter foton e prindërve të Mahsa-s.

Me atë foto, ajo ishte gazetarja e parë që raportoi para botës se çfarë kishte ndodhur me 22-vjeçaren, në atë moment në pushime me familjen e saj në Teheran.

Nga ana tjetër, Hohammadi kishte ndjekur funeralin e 22-vjeçares për gazetën “Ham Mihan”, i cili u mbajt në Saqqez, në provincën iraniane të Kurdistanit.

Gjatë ceremonisë, disa gra hoqën hixhabët e tyre në shenjë kundërshtimi ndaj kodit të veshjes së Republikës Islamike.

Bashkëshorti i gazetares më vonë raportoi në Twitter se forcat e sigurisë hynë në shtëpinë e tyre dhe se gazetarja më pas u dërgua në burgun Evin pa akuza formale.

Avokati i saj shtoi se sendet personale si telefoni dhe laptopi i saj ishin sekuestruar gjithashtu.

Sipas britanikes “The Guardian”, Hamedi dhe Mohammadi tani akuzohen nga regjimi iranian si agjente të CIA-s, agjencisë së inteligjencës amerikane.

Akuzat përmbahen në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga ministria iraniane e inteligjencës dhe organizata e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike.

Në dokument, protestat përshkruhen si një operacion i planifikuar i nisur nga CIA, Mossad dhe agjenci të tjera të inteligjencës perëndimore.

Dy gazetaret akuzohen si “burime parësore të lajmeve për mediat e huaja”. Veçanërisht, Hamedi “shtirej si gazetare” dhe, duke u paraqitur si e tillë, “detyroi familjen e Mahsa Amini-t të jepte informacion për vdekjen e vajzës së tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore