Gatimi

Gatimet tipike të Elbasanit


Elbasani është një ndër qytetet që ka ruajtur me fanatizëm traditën e ushqimit. Shija, kultura, dhe tradicionalja janë të ndërthurura bashkë.

Disa nga pjatat kryesore të kuzhinës tradicionale shqiptare, e kanë prejardhjen  nga ky qytet.

Bollokumet

Festa e ditës së verës lidhet në mënyrë të pashmangshme me këtë ushqim. Ballokumja është një biskotë e madhe që prodhohet me miell gruri ose misri,  me një përbërje të konsiderueshme sheqeri që justifikon arsyen pse ëmbëlsia personifikon festën e verës. Përgatitja e saj është një sfidë për amvisat, pasi çdo përbëres duhet hedhur me kujdes, dhe  rigorozisht me rradhë.

Tavë kosi

E pamundur t’i rezistosh kësaj pjate, jo vetëm nëse e ke të servirur në tryezë por edhe thjeshtë nëse e përmend apo e dëgjon diku, kjo tavë mbetet si një ndër gatimet më të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare.

Sigurisht, kjo recetë është ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve. Sekreti i kësaj pjate qëndron tek marinimi i mishit dhe përzierja e erëzave me të cilat lyhet mishi. Fillimisht mishi piqet në furrë vetëm, sa për të marrë një ngjyrë dhe për të lëshuar lëngun e zierjes së parë. Më pas, laget bollshëm me lëngun që përgatitet nga përzierja e vezëve, miellit dhe sasisë së konsiderueshme të kosit e piqet përsëri.

Bugaçet

Brumi është një nga përbërësit kryesorë të gatimeve tradicionale të Shqipërisë së Mesme. Bugaçet, bukë të holla me forma të ndryshme, mbeten një nga ushqimet e preferuara në rrethinat e Elbasanit për të nisur mëngjesin. Brumi i tyre përgatitet me miell gruri, ujë e kripë, e punohet me duar deri sa masa bëhet gati për tu ndarë në toptha të vegjël. Në masën e tyre brumore mund të shtosh çdo përbërës që të ndodhet në frigorifer e më pas, kuleçët ripunohen duke i kthyer në petë e pjekur me gjalp. Bugaçet i shtojnë tryezës së mëngjesit një gatim tradicional shumë të shijshëm.

Qulli me arra

Qulli i arrave, një gatim tradicional i hershëm i zonës, kryesisht përdoret gjatë festave elitare të vitit. Mishi i gjelit është përbërësi kryesor, por e fshehta e qullit të arrave qëndron tek pjekja e lëngut të mishit të gjelit, arrave, hudhrave, uthullës dhe miellit në tava të vogla balte, të cilat ruajnë temperaturën e gatimit të njëtrajtshme e sigurojnë që shija të mos humbasë./AlbanianPost.com 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore