Sport

Gasperini konfirmon mungesën e Gjimshitit për javën e ardhshme


Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, u lëndua në ndeshjen që ekipi i tij Atalanta e humbi me shifrat 1:3 ndaj Napolit, në ndeshjen e vlefshme të javës së 31-të në Serie A.

Si shumicën e ndeshjeve, edhe këtë herë Gjimshiti ishte titullar, por ndeshja për mbrojtësin kuqezi zgjati vetëm 63 minuta.

29-vjeçari pësoi një dëmtim dhe trajneri i ekipit zikaltër u detyrua ta zëvendësonte me danezin Joakim Maehle.

Nga ky dëmtim, Gjimshiti pritet të mungojë për ndeshjen e radhës në Ligën e Evropës ndaj Leipzig-ut, ku këtë e konfirmoi edhe vetë trajneri i Atalanta-s, Gian Piero Gasperini.

“Nuk mendoj se do ta kemi të gatshëm Beratin për sfidën e së enjtes, atij i doli shpatulla”, deklaroi pas ndeshjes Gasperini.

Atalanta luan të enjten sfidën e parë çerekfinale të Europa League përballë Leipzig-ut. Dueli kundër nënkampionëve të Gjermanisë do të zhvillohet në “Red Bull Arena” më 7 prill, ndërsa ai i kthimit në Itali më 14 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore