Lajme

Garant për sigurinë e Ukrainës, SHBA-të i “druhen” konfrontimit me Moskën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden nuk ka ndërmend të marrë vendime që do të çonin në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis Washington-it dhe Moskës.

Kështu deklaroi drejtoresha e Komunikimeve pranë Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield, sipas Zërit të Amerikës.

“Kur presidenti vendos se çfarë saktësisht të dërgojë në Ukrainë, ai merr parasysh dy gjëra”, tha ajo.

Bedingfield sqaroi se fillimisht bëhet “vlerësimi i ushtrisë për atë që është më efektive dhe më e dobishme për Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

Faktori i dytë, sipas saj, është se Biden “nuk kërkon konflikt të drejtpërdrejtë midis forcave të armatosura amerikane dhe atyre ruse”.

Siç theksoi Bedingfield, presidenti amerikan nuk do të marrë vendime të tilla.

“Ai nuk do të marrë vendime që çojnë në konflikt të drejtpërdrejtë midis ushtrisë amerikane dhe ruse”, shtoi drejtoresha e komunikimit.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesja e Shtëpisë së Bardhë theksoi se “vëllimi dhe shkalla e ndihmës ushtarake të ofruar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën është e paprecedentë”.

“Ne jemi në procesin e diskutimeve të vazhdueshme me Ukrainën mbi mënyrat se si mund t’i ndihmojmë ata të garantojnë sovranitetin dhe sigurinë. Por nuk ka detaje specifike rreth garancive të sigurisë për të cilat mund të flas për momentin”, vuri në dukje Bedingfield.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore