Përballje

Gara e zjarrtë për pozitën e parë në xhiron e 10-të në Premier League


E shtuna në Premier League vjen me disa sfida shumë interesante, ku do të marrin pjesë gjashtë skuadrat e mëdha të Premierligës.

Ndeshja e parë fillon me duelin mes Leicester City-t dhe Arsenal-it në ora 13:30.

Pas një fillimi të dobët, të dy skuadrat kanë marrë veten dhe tani po kalojnë me një formë pozitive.

Nga pesë ndeshjet e fundit të Arsenal, topçinjtë kanë fituar tre nga to, dhe dy kanë përfunduar me barazim.

Ndërsa në anën tjetër, në pesë ndeshjet e fundit të Leicester, ata kanë katër fitore dhe një barazim.

Të dy ekipet do luftojnë për pikët maksimale, pasi kanë pikë të barabarta dhe fituesi do ngjitej më lart në radhitjen tabelare.

Momentalisht, Leicester dhe Arsenal radhiten në pozitat nëntë dhe 10, ku të dy skuadrat kanë nga 14 pikë.

Pas përfundimit të ndeshjes së parë, në ora 16:00 do të luhen edhe pesë ndeshje të tjera.

Liverpool do pres Brighton-in në “Anfield” për ndeshjen e xhiros së 10-të në Premier League.

“The Reds” po kalojnë një formë shumë të mirë ku nga pesë ndeshjet e tyre të fundit, katër kanë përfunduar me fitore dhe një me rezultat të barabartë.

Dueli i fundit në Premier League për Liverpool-in ishte special, pasi mposhtën me rezultat të thellë 5:0, rivalët e tyre, Manchester United.

Brighton kanë pasur një fillim të mirë, por tani ata kanë rënë nga forma, pasi nuk kanë fituar asnjë ndeshje në pesë ndeshjet e fundit.

Liverpool radhiten në pozitën e dytë me 21 pikë, kurse Brighton janë në vendin e pestë me 15 pikë.

Në ora 16:00, do të luaj po ashtu edhe Manchester City me Crystal Palace.

City kërkojnë t’i kthehen fitoreve pasi u eliminuan nga EFL CUP në penallti përballë West Ham-it.

Megjithatë, në ligë, “qytetarët” po kalojnë një formë të mirë, ku kanë fituar katër, nga pesë ndeshjet e fundit.

Ndërsa Crystal Palace po kalon një formë të dobët, pasi në pesë ndeshjet e fundit kanë barazuar katër herë dhe kanë humbur përballë Liverpool.

Deri më tani, City radhiten në pozitën e tretë me 20 pikë, kurse Crystal Palace janë në vendin e 15-të me nëntë pikë.

E shtuna në Premier League sjell edhe duelin mes Newcastle United dhe Chelsea-t në 16:00.

Chelsea janë skuadra me formën më të mirë në Premier League, të cilët kanë fituar pesë ndeshjet e tyre të fundit.

Ndërsa Newcastle, e cila është skuadra me pronarin më të pasur në sportin e futbollit, do të provojnë t’i kthehen fitoreve pas shkarkimit të trajnerit Steve Bruce.

Momentalisht Chelsea radhiten në pozitën e parë me 22 pikë dhe Newcastle në vendin e 19-të me katër pikë.

Dy ndeshjet e tjera të cilat fillojnë në ora 16:00 janë:

Watford – Southampton

Burnley – Brentford

E shtuna në Premier League do përmbyllet me derbin mes Tottenham dhe Manchester United.

Të dy skuadrat po kalojnë një formë mesatarisht të mirë, ku Tottenham ka tre fitore në pesë ndeshjet e fundit, e “djajtë e kuq” kanë dy.

Manchester United vinë nga një humbje poshtëruese nga rivali i tyre, Liverpool në “Old Trafford”.

Deri më tani, Tottenham janë radhitur në pozitën e gjashtë me 15 pikë dhe Manchester United janë në vendin e shtatë me një më pak se Tottenham.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore