Pajisje

Galileo me 2 miliardë telefona inteligjentë të shitur


Programi Galileo ka shënuar një rekord me 2 miliardë telefona inteligjentë të shitur, të cilët janë të mundësuar nga Galileo.

Agjencia Evropiane e Sistemit Satelitor të Navigimit Global (GSA) shkruan në faqen e saj zyrtare se “kjo është një arritje e pabesueshme kur mendojmë se telefoni i parë inteligjent i mundësuar nga Galileo ka dalë në treg në vitin 2016”.

GSA shton se rekordi tregon se tregu i ka përqafuar shpejtë avantazhet e ofruara nga Galileo dhe se i ka besuar kësaj të fundit.

Telefoni i parë inteligjentë, Aquaris X5 Plus, i cili u lancua në muajin korrik të vitit 2016, i hapi rrugë modeleve të reja që do të dilnin në treg për përdoruesit, të cilat deri më tani numërohen të jenë afro 600 telefona inteligjentë dhe tableta.

“2 miliardë telefona inteligjentë të shitur janë një arritje e jashtëzakonshme dhe dëshmon për faktin se tregu e kupton dhe e vlerëson vlerën e shtuar që sjell Galileo për sa i përket qëndrueshmërisë dhe disponueshmërisë”, ka thënë kreu i departamenti të shërbimeve Galileo, Guerric Pont.

Ai ka vazhduar se “duke ofruar një sistem satelitor të navigimit global me performancë të lartë dhe të sigurt, siç është Galileo, përdoruesit e telefonave inteligjentë mund të mbështeten në një informacion pozicionimi më të saktë dhe më të besueshëm, veçanërisht në mjediset urbane”.

Nga ana tjetër, shefja e zhvillimit të tregut në GSA, Fiammetta Diani, është shprehur se “kemi punuar vazhdimisht me komunitetet e përdoruesve dhe industrinë për të kuptuar nevojat e tyre dhe për të përmbushur kërkesat e tyre”.

Ajo shton gjithashtu se në të njëjtën kohë është punuar edhe për rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet që ofron Galileo.

“Duke pasur këtë numër të madh të pajisjeve Galileo në duart e përdoruesve, ofron edhe një potencial të madh për sipërmarrësit e linjës që mund të sjellin shpejt aplikacionet e tyre në treg”, ka thënë Diani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore