Euro 2020

Gafa në Euro 2020 – Kroacia ka luajtur me flamurin e ustashëve në fanellë?


Gazetari italian, Pippo Russo, në një artikull për “Calciomercato”, shkruan mbi gafën e bërë nga Kroacia në Euro 2020. Ai ka thënë se në fanellat e lojtarëve nuk ka qenë stampuar flamuri i duhur.

Russo shpjegon se ka një detaj historik për flamurin e Kroacisë. Sipas tij, në federatën kroate ka akoma njerëz me kujtesë historike.

Pippo Russo

Një nga flamujt e Kroacisë të përdorur në fanellat e skuadrës së drejtuar nga Zlatko Daliç-i, nuk është ai i Republikës së Kroacisë, e cila lindi pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitin 1991, por ai i shtetit të Pavarur të Kroacisë në qershorin e vitit 1941.

Flamuri i 1941-shit ishte në kohën kur kroatët qenë nën ndikimin e Gjermanisë nazite dhe Italisë fashiste. Një Kroaci, që ishte zyrtarisht monarki kushtetuese, por në fakt, realisht ishte diktaturë e përgjakshme e sunduar nga lëvizja ultra e djathtë “Ustasha”, që udhëhiqej nga Ante Paveliç-i.

Shteti i Pavarur i Kroacisë u shpërbë në 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Paveliç-i u largua në drejtim të Spanjës, ku ndërroi jetë në 1959.

Ndonëse është e vështirë të dallohet detaji i dy flamujve, pasi të dy janë me kuadrate të kuqe dhe të bardha, ndryshimi qëndron në ngjyrën e parë të stemës që ndodhet në mes të flamurit.

Flamuri “Ustasha”

Në flamurin “Ustasha” dhe në atë që ishte stampuar në pjesën e përparme të fanellave, stema fillon me një katror të bardhë. Ndërsa, në stemën në krahun e majtë të fanellës, që është edhe logo e Federatës Kroate të Futbollit (HNS) flamuri ishte i duhuri, pasi fillonte me katror të kuq.

Flamuri i Republikës së Kroacisë

Por sipas Russo-s, pavarësisht këtij fakti, ai është i sigurt që askush nuk do të paguajë për këtë gafë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore