Muzikë

“Future Nostalgia”- albumi i Dua Lipës, shënon rekord të ri 


Sukseset e albumit “Future Nostalgia” të këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa, po vazhdojnë të rriten edhe një vit pas publikimit.

Ani pse, albumi u publikua në mes të pandemisë, këngët të cilat janë mirëpritur nga fansat e Lipës, dhe janë vlerësuar lartë nga kritikët e muzikës, po vazhdojnë të dominojnë në tregun ndërkombëtar të shitjes së albumeve.

Një sukses të radhës, Dua, e ka pranuar nga platforma digjitale, “Spotify”, në të cilën “Future Nostalgia” ka arritur të jetë albumi më i transmetuar me gjithsej 4.7 milionë transmetime.

Albumi i fundit nga Dua Lipa, sipas bazës virtuale të fansave të saj, është renditur si albumi i 23-të më i transmetuar në historinë e “Spotify”.

“Future Nostalgia”, ka rezultuar me nivele të larta të shitjes edhe gjatë vitit 2021. Në  vetëm katër muajt e parë, ai është radhitur si albumi më i shitur i vitit 2021, brenda territorit të Mbretërisë së Bashkuar, bazuar në të dhënat e publikuara nga kompania zyrtare “Charts”.

Ky album i cili është në shitje nga kompania e prodhimit “Warner Records” përfundoi tremujorin e parë të vitit 2021 me një shitje prej 68,926 kopje (54,624 prej tyre nga shërbimet e transmetimit online).

Kurse në total, janë shitur 333,968 kopje (234,111 prej tyre nga shërbimet e transmetimit online).

Në llogarinë e saj zyrtare të Instagramit, Dua Lipa, ka reaguar e lumtur karshi të rejave të fundit për sukseset që “Future Nostalgia” po korr.

“Faleminderit! Kjo është e çmenduri, thjesht jam shumë e lumtur”, ka mbishkruar Lipa teksa ka ri postuar postimin e “PopDataMusic”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore