Sport

Futsall: Kosova pëson humbje ndaj Holandës, Simitçiu e vlerëson lart paraqitjen e Dardanëve


Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në miqësoren e dytë me Kombëtaren e Holandës, me rezultat 1:3.

Ashtu sikurse në ndeshjen e parë (0:0), edhe në duelin e sotëm lojtarët e Kosovës treguan lojë të hapur dhe mjaft cilësore.

Madje, në pjesën e parë Dardanët krijuan disa mundësi të njëpasnjëshme para portës holandeze, por fati nuk ishte në anën e tyre.

Në anën tjetër Holanda arriti t’i finalizojë disa prej rasteve të krijuara, falë edhe shpërqendrimit të mbrojtjes tonë.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Arben Simitçiu i cilësoi këto dy miqësore  në Zeist si shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të ekipit kombëtar, derisa paraqitjen e lojtarëve e vlerësoi me nota të larta.

“Këto miqësore kanë qenë të mirëseardhura për ne. I kemi provuar të gjitha gjërat që i kemi planifikuar dhe lojtarët i kanë aplikuar detyrat që i kemi dhënë gjatë këtij kampi. Mendoj se jemi në rrugë të mirë dhe ardhmja jonë në futsall do të jetë  e shndritshme”, theksoi Simitçiu.

Simitçiu po ashtu pati përgëzime për lojtarët e tij, dhe e vlerëson se kanë bërë futsall evropian.

”Sidoqoftë, në zhveshtore i përgëzova lojtarët për paraqitjen e tyre sepse brenda 24 orëve kemi luajtur dy ndeshje me intensitet tejet të lartë dhe kemi bërë futsall evropian”, përfundoi ai.

Këto dy miqësore në Holandë do t’i shërbejnë Dardanëve që të përgatiten sa më mirë për sfidat e ardhshme në ciklet kualifikuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore