Sport

Futbolli në zi, lojtari i Konyaspor-it humb jetën në aksident – Cikalleshi dedikim prekës


Mbrojtësi i Kombëtares së Turqisë dhe skuadrës së Konyaspor-it, Ahmet Calik, ka humbur jetën në një aksident automobilistik këtë të martë të 11 janarit.

27-vjeçari ishte shok skuadre me dy lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshin dhe Endri Çekiçin, si dhe Zymer Bytyqin e Kosovës.

Futbollisti humbi jetën pas një aksidenti tragjik në vendlindjen e tij, Ankara.

Ai humbi kontrollin e makinës në autostradën Ankara-Nigde dhe për pasojë, ajo doli nga rruga dhe u përmbys.

Sipas raporteve të policisë, mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 9 të mëngjesit të kësaj të marte.

Klubi i Konyaspor-it ka reaguar në mediat sociale mbi ndarjen tragjike nga jeta të mbrojtësit.

“Ngushëllime për të gjithë ne, veçanërisht për familjen e futbollistit tonë Ahmet Çalik”, thuhet në njoftimin e klubit.

Reagime pati edhe nga ministri i Rinisë dhe Sporteve të Turqisë, Mehmet Muharrem Kasapoglu, klubi i Galatasaray-t, kombëtarja turke, si dhe klubi i parë i Çalik-ut, Genclerbirligi.

Calik-u luajti 90 minutat e plota në humbjen 1-0 të së dielës në shtëpi ndaj Sivasspor-iit, në atë që, fatkeqësisht, do të ishte paraqitja e tij e fundit.

Cikalleshi ka reaguar në profilin zyrtar në Instagram, ku ka shkruar: “Çfarë mund të shkruaj për ty miku im i dashur! Zoti ju mori shumë herët! U prefsh ne paqe vëlla! Do të jesh gjithmonë në zemrën time”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore