Sport

Futbolli ndryshoi, zyrtarisht


Në orën 00:00, u formua zyrtarisht Superliga e Evropës, që vjen me emrin “The Super League”.

Në një dramë mesnate, nisi një luftë e tërë mes Florentino Perez-it, kundër UEFA-s dhe FIFA-s.

Presidenti i Real Madrid-it, në dakordim me 11 skuadra të tjera, kanë krijuar Superligën Evropiane, që për këto skuadra, do të thotë që nuk ka më kurrë Champions League.

Arsenal, Chelsea, Manchester United, Manchester City, Liverpool, Tottenham, Atletico Madrid, Barcelona, Real Madrid, Juventus, Inter, Milan.

Ekipet e lartpërmendur do të jenë pjesë e Superligës Evropiane.

Se kur do ta çelë siparin, ende nuk dihet, por SkySport raporton që do të fillojë po aq herët sa në verën e këtij viti.

E shokuar, UEFA ka vendosur që të gjithë këto skuadra t’i përjashtojë nga kompeticionet evropiane.

Në dakordim me FIFA-n, ata kanë vendosur që futbollistët, të cilët marrin pjesë në këto kompeticione, të mos lejohen, në asnjë mënyrë, që të jenë pjesë e EURO-ve apo kupave të botës.

Një ngjarje që ka nxitur luftë, e që na bëri të kuptojmë se futbolli, nuk do të jetë më i njëjti.

Superliga e Evropës, në total, do të ketë 20 skuadra, që do të jenë të ndara në dy grupe me nga dhjetë.

Tetë skuadrat më të mira do të kalojnë më tutje, duke luajtur fazën “knock-out”.

Në këtë mënyrë, arrihet edhe deri te finalja e madhe, e cila do të përcaktojë fituesin.

Ndonjëherë historia mund të mos jetë e bukur, ama, është interesante kur je aty duke e përjetuar.

Sonte historia ndodhi, futbolli ndryshoi, ndoshta përgjithmonë.

Më shumë informacione me zhvillimin e situatës, lajmi në përditësim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore