Shqipëria

Fushata zgjedhore nis më 19 shkurt, zgjat vetëm 2 javë


Propozimi i Partisë Demokratike për të nisur fushatën zgjedhore në votimet vendore për gjashtë bashki në Shqipëri, është rrëzuar, duke lënë kështu në fuqi propozimin e vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me datën e fillimit të fushatës, më 19 shkurt.

Kjo datë, lë afat vetëm një periudhë dy javore për t’iu drejtuar votuesve në zonat elektorale.

Zgjedhjet e pjesshme vendore, u dekretuan nga presidenti Ilir Meta, për t’u mbajtur më 6 mars, si një propozim i vetë KQZ-së, brenda afateve maksimale ligjore.

Nga pala demokrate, u argumentua se dy javët janë të pamjaftueshme për fushatë. Pikërisht për këtë arsye kërkesa e tyre ishte që afrohej data për në 7 shkurt ose maksimalisht 12. Megjithatë, sipas arsyetimit të Komisionit Rregullator në KQZ, kjo ishte e pamundur.

Madje, për ta, edhe afati i tanishëm i vendosur, është në limitet minimale të procedurave standarde ligjore.

Sipas vendimit, vetëm tre ditë kohë do të kenë subjektet zgjedhore, për të dorëzuar dokumentacionin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore. Pra, limiti është vendosur të jetë 25 janari.

Deri më 31 janar, partitë do të kenë mundësi të paraqesin kërkesën për komisione nismëtare. Datat 6 dhe 9 shkurt, do të jenë afati i dorëzimit të dokumentacionit për kandidatët.

PD përplaset edhe në KQZ

Përplasja e radhës e Partisë Demokratike ka ardhur këtë herë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u mbajt edhe seanca e parë për nisjen e procesit të pjesshëm zgjedhor në gjashtë bashki të vendit.

Me nisjen e seancës, ka qenë Indrit Sefa, përfaqësues ligjor i PD-së, ai i cili ka kërkuar fjalën. Sefa bëri kryetarin me dijeni se strukturat e demokratëve, kanë vendosur atë si përfaqësues ligjor, së bashku me Marash Logun.

Në këtë detyrë më parë, ka qenë Ivi Kaso, i cili ishte i pranishëm në seancë, por këtë herë si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit.

Vetë Kaso, ka parashtruar përpara Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit, argumentin se Lulzim Basha, është shkarkuar me vendim të Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, më 11 dhjetor 2021. Po ashtu, ai ka thënë se vula dhe logoja e PD-së, janë rifreskuar me vendimet e këtij Kuvendi.

Mirëpo, komisioneri, duke u bazuar edhe në aktet ligjore të KQZ-së, ka parashtruar faktin se raporti mes institucionit zgjedhor dhe partive politike, është tërësisht institucional.

Ndaj, duke qenë se si e tillë, PD-ja e njohur nga institucionet është ajo e Lulzim Bashës, ai ka njohur Sefën si përfaqësues të demokratëve.

Këtë vendim e ka kundërshtuar Kaso, i cili ka kërkuar edhe bazën ligjore mbi të cilën vendimi është marrë.

Bazë ligjore, e cila i është vënë në gatishmëri nga Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore