Sport

Furtunë shkarkimesh te Schalke 04


Schalke 04 është duke përjetuar një nga momentet më të këqija të historisë së saj. Shtatë herë kampionët e Bundesligës, ndodhen në vendin e fundit të renditjes me nëntë pikë pas 23 javësh.

Ecuria negative dhe humbja e fundit përballë Stuttgard-it, me shifrat 5-1 kanë sjellë reagim të bordit drejtues të Schalke-s, ku janë ndërprerë bashkëpunimet me disa nga anëtarët e klubit.

Mes të shkarkuarëve janë trajneri, Christian Gross-i, ndihmës trajneri Rainer Widmayer-i, trajneri i atletikës, Werner Leuthard-i dhe koordinatori i ekipit të parë, Sascha Riether-i. Për më tepër edhe Jochen Schneider-i u shkarkua nga posti si drejtor sportiv.

Peter Knabel-i do të marrë përsipër përgjegjësitë për pjesën sportive të klubit, me ndihmën e Norbert Elgert-it dhe Mike Buskens-it. Gerard Asamoah do të jetë përgjegjës për koordinimin e ekipit, për pjesën e mbetur të sezonit.

“Pas dy paraqitjeve zhgënjyese kundër Dortmund-it dhe Stuttgart-it, këto vendime ishin të pashmangshme”, tha Jens Buchta, Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Schalke-s.

“Në të njëjtën kohë, përgjegjësia tani bie mbi ekipin që të përpiqet të jetë sa më i suksesshëm në pjesën e tretë të sezonit. Lojtarët ia detyrojnë këtë klubit dhe tifozëve”, shtoi Buchta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore