Shqipëria

“Fuqizimi i gruas, përmes edukimit dhe mbështetjes ekonomike”


“Edukimi dhe fuqizimi ekonomik janë elementet kryesore për fuqizimin e vajzave dhe grave”.

Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në seancën plenare të 25 nëntorit.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Manastirliu tha se dhuna ndaj vajzave dhe grave parandalohet duke rritur mbështetjen ndaj tyre, si dhe duke i fuqizuar ato për të shpalosur potencialin e tyre.

Ajo ka bërë të ditur disa nga shifrat zyrtare, me anë të të cilave matet numri i personave të prekur nga dhuna fizike.

Sipas ministres, në 10 muajt e fundit, dhuna fizike, por jo vetëm, ju ka marrë jetën 17 qytetarëve, ku 12 prej tyre janë vajza dhe gra.

2 mijë e 965 gra janë prekur nga dhuna në familje, në 10 muajt e fundit, sipas ministres, duke rritur kështu dhe numrin e denoncimeve.

Duke i cilësuar si kambanë alarmi, ministrja e Shëndetësisë tha se numri i denoncimeve tregon dhe “besim ndaj institucioneve publike”.

Sipas saj, qeveria ka rritur masat ndëshkuese në kodin penal, si dhe fuqizuar mekanizmat e referimit të dhunës.

Manastirliu, tha se është përgjegjësia “e secilit prej nesh”, të mbrojmë “grupet më vulnerabël”.

Ndaj, në përmbyllje të fjalimi të saj, Manastirliu ka bërë thirrje “të forcohet dhe zgjerohet”, zinxhiri i solidaritetit.

Këtë të enjte ka nisur fushata e 16 Ditëve Kundër Dhunës me bazë gjinore, e cila është shoqëruar me hashtagun #BëjeBotënPortokalli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore