Lajme

Fundoset anija e eksportit të gjësë së gjallë në Sudan, mbyten mbi 15 mijë dele


Porti Suakin i Detit të Kuq të Sudanit. ©: AFP/Getty Images

Një anije, e mbushur me mijëra dele, u fundos të dielën e 12 qershorit në portin Suakin të Detit të Kuq në Sudan.

Sipas zyrtarëve, shumica e kafshëve në bord u mbytën, ndërsa ekuipazhi fatmirësisht mbijetoi.

Anija e bagëtive po eksportonte kafshët nga Sudani në Arabinë Saudite kur u fundos.

“Anija, Badr 1, u mbyt gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës”, tha zyrtari i lartë i portit sudanez, i cili zgjodhi të fliste në kushte anonimiteti. “Ai mbante 15 mijë e 800 dele”.

Një zyrtar tjetër, i cili tha se i gjithë ekuipazhi u shpëtua, ngriti shqetësime mbi ndikimin ekonomik dhe mjedisor të aksidentit.

“Anija e fundosur do të ndikojë në funksionimin e portit”, sipas zyrtarit, duke shtuar se, “gjithashtu do të ketë një ndikim mjedisor, për shkak të ngordhjes së numrit të madh të kafshëve të bartura nga anija”.

Omar al-Khalifa, kreu i shoqatës kombëtare të eksportuesve, tha se anijes iu deshën disa orë për t’u fundosur në skelë – një dritare që sugjeronte se “mund të ishte shpëtuar”.

Vlera totale e bagëtive të humbura ishte rreth 14 rijalë saudite (3.7 milionë dollarë), tha Saleh Selim, kreu i divizionit të blegtorisë të shoqatës, i cili bëri thirrje për një hetim mbi incidentin.

©: AFP/Getty Images

Ai tha se pronarët e bagëtive gjetën vetëm rreth 700 dele “por ato u gjetën shumë të sëmura dhe ne nuk presim që të mbijetojnë gjatë”.

Gjithashtu, ai konfirmoi se delet ishin ngarkuar në anije në portin Suakin.

Porti tashmë është objekt hetimi për të përcaktuar shkakun e një zjarri masiv muajin e kaluar që shpërtheu në zonën e ngarkesave, duke zgjatur orë të tëra dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Qyteti historik portual i Suakin nuk është më qendra kryesore e tregtisë së jashtme të Sudanit, një rol që është marrë nga Port Sudan, 60 km (40 milje) larg përgjatë bregut të Detit të Kuq.

Ka pasur lëvizje për të rizhvilluar portin Suakin, por një marrëveshje e vitit 2017 me Turqinë për restaurimin e ndërtesave historike dhe zgjerimin e porteve u pezullua pas rrëzimit të presidentit shumëvjeçar Omar al-Bashir.

Sudani mbetet i mbërthyer nga një krizë kronike ekonomike, e cila është thelluar pas grushtit të shtetit të vitit të kaluar të udhëhequr nga shefi i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan.

Marrja ushtarake shkaktoi masa ndëshkuese, duke përfshirë shkurtimin e ndihmave nga qeveritë perëndimore, të cilat kërkuan rivendosjen e administratës kalimtare të instaluar pas përmbysjes së Bashir-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore