Përballje

Fundjavë pozitive për futbollistët kosovarë


Sikurse në çdo fundjavë, pa dyshim që edhe këtë herë, futbollistët kosovarë shënuan paraqitje shumë të mira në klubet e tyre evropiane në të cilat luajnë.

Ndër kryesorët e Dardanëve, në fundjavën që lam pas, ishte Edon Zhegrova, i cili ishte protagonist kryesor në fitoren e klubit të tij zviceran Basel, në udhëtim te skuadra Luzern.

Zhegrova ishte titullar në këtë ndeshje në të cilën realizoi dy gola vetëm brenda katër minutave, njërin në minutën e 18-të dhe tjetrin në të 22-ën.

Me dy golat e realizuar, 22-vjeçari arriti kuotën e katër golave dhe po aq asistimeve në 24 paraqitjet e tij për Baselin.

Paraqitje shumë të mirë pati edhe futbollisiti tjetër i Kosovës, Milot Rashica, me klubin e tij Werder Bremen.

Rashica arriti të shënoj gol nga penalltia në humbjen që skuadra e tij e pësoi me rezultat 1:4, ndaj vendit të dytë në tabelë Leipzig.

Në Superligën zvicerane, gjurmë la edhe futbollisti tjetër kosovar, Kastriot Imeri, që shënoi gol në fitoren e klubit të tij Servette, në udhëtim te skuadra e Zurich me rezultat 1:2.

20-vjeçari kosovar arriti të shënojë një gol fantastik nga jashtë zone, vetëm dy minuta pasi u inkuadrua në lojë, kështu duke thelluar epërsinë në 0:2 për mysafirët.

Në këtë përballje, gjurmë la edhe përfaqësuesi i Kosovës, Benjamin Kololli, i cili asistoi për golin e vetëm në këtë ndeshje për skuadrën e tij.

Te skuadra e Zurich, për 90 minuta luajtën pesë futbollistë me prejardhje nga Kosova: Benjamin Kololli, Fidan Aliti, Hekuran Kryeziu, Toni Domgjoni dhe Blerim Xhemajli.

Paraqitje shumë të mirë në ligën e Zvicres, pati edhe futbollisti tjetër i Kosoves, Betim Fazliji, i cili luajti për 90 minuta me skuadrën e Saint Gallen, që pësoi humbje kundër kampionit Young Boys.

Në fakt, Fazliji është titullar i padiskutueshëm në këto dy vitet e fundit te skuadra e tij, të cilët sezonin e kaluar ishin shumë afër që të shpalleshin kampion.

21-vjeçari mori ftesë për herë të parë nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, por nuk u inkuadrua në lojë për asnjë minut, në tre ndeshjet që Dardanët zhvilluan kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës.

Mërgim Vojvoda, regjistroi paraqitje të shkëlqyer duke luajtur për 90 minuta, në fitoren që skuadra e tij Torino arriti në udhëtim te Udinese, në kuadër të javës së 31-të të Serie A italiane.

Me notë pozitive u vlerësua edhe mbrojtësi Leart Paqarada, i cili luajti për 90 minuta në fitoren që ekipi i tij St. Pauli, e arriti në udhëtim te skuadra tjetër gjermane e ligës së dytë Aue, me rezultat 0:3.

Gjithashtu edhe mbrojtësi tjetër “verdhekaltër”, Ibrahim Dresheviq, pati paraqitje shumë të mirë gjatë 90 minutave, në fitoren që skuadra e tij Hereenveen e shënoi kundër Groningen në ligën e parë holandeze.

Gol shënoi edhe Zymer Bytyqi, i cili luan te skuadra Konyaspor, që militon në Superligën turke.

24-vjeçari arriti që të shënojë golin e barazimit në këtë ndeshje, por ekipi i tij nuk arriti që ta mbajë rezultatin, duke humbur me rezultat 3:1, nga Sivaspor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore