Lajme

Fundjava e The Weeknd


Grammy-t e lanë atë jashtë konkurrimit për çmimet shumë të lakmueshme, por e gjithë fundjava e çmimeve muzikore Billboard, i takon vetëm një emri – The Weeknd.

Artisti kanadez ka rrëmbyer 10 mikrofona të artë, duke dominuar kështu renditjen amerikane të këngëve dhe duke u bërë artisti i pestë më i titulluar në historikun e Billboard.

Ndër kategoritë kryesore ku ai fitoi, renditen ato të Artisti më i mirë, Artisti mashkull më i mirë, Artisti më i mirë i renditjes top 100, Kënga më e mirë e renditjes top 100 dhe kënga më e mirë radio, për hitin global Blinding Lights.

The Weeknd dominoi gjithashtu kategorinë R&B – zhanër të cilin ai performon.

Ndër të tjera, performanca e radhës ishte një spektakël i vërtetë i dhuruar nga kanadezi. Këtë herë pa fishekzjarrë, por me një perfomancë të dhuruar nga makina e kamionë.

Në të vërtetë, mendohet se ky ishte një sinjal i The Weeknd për t’i paraprirë një ndryshimi tërësor të imazhit të tij, me albumin e shtatë në dukje.

Çmimet e tjera

Një tjetër kanadez, artisti Drake, pranoi nga Billboard çmimin e nderit “Artisti i Dekadës”.

Pop Smoke rrëmbeu pesë çmime, kryesisht të kategorisë rap. Por, ajo që ra në sy, ishte se artisti korri fitore për titullin “Albumi i Vitit”. Detaj ky, që habiti jo pak.

Koreanët e BTS morën katër çmime dhe u vlerësuan për këngën e tyre Dynamite. Ndërkaq, falë performancës në prezantimin e këngës së tyre të re Butter, ata thyen rekordet e shikueshmërisë në YouTube dhe Spotify.

Të tjerë të nderuar me çmime ishin edhe artiste si Taylor Swift, Lady Gaga dhe DaBaby.

Ndër latinët, Bad Bunny fitoi më së shumti çmime, duke konfirmuar veten dhe çastin e mirë që po kalon.

Përtej çmimeve, kanadezi The Weeknd ka thyer gjatë vitit pandemik 2020 dhe në vazhdim në vitin 2021, rekorde të shumëfishta në renditjen amerikane, me këngën e tij Blinding Lights. Ajo ka qëndruar për 57 javë në top 10 të Billboard. Prej tyre, 43 janë në top 5.

Të dy këto, rekorde me një marzh shumë të largët nga ndjekësit.

Rekorde janë thyer nga Blinding Lights edhe për sa i përket dëgjueshmërisë në radio.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore