Lajme

“Fuck Putin” – Maneskin thyejnë tabutë në Coachella


Festivali i përvitshëm muzikor i zhvilluar në shkretëtirën e California-s, Coachella, njihet si një ndër ngjarjet artistike më të mëdha globale.

Ajo për të cilën nuk njihet Coachella, janë mesazhet politike, por duke parë situatën e fundit të shkaktuar prej luftës në Ukrainë, nuk ka munguar as thyerja e tabuve.

Kanë qenë italianët e Maneskin, ata të cilët nën spektaklin e monologut ikonik të Charlie Chaplin, “The Great Dictator” (Diktatori i madhërishëm), kanë shpërndarë edhe mesazhin politik në mbështetje të Kievit dhe kundër politikës së ndjekur nga Vladimir Putin.

Turma e të rinjve në Coachella, me shumë mundësi nuk e ka njohur menjëherë artin historik të Chaplin nën zërin e vokalistit Damiano David.

Megjithatë, sapo janë dëgjuar fjalët “Fuck Putin”, të gjithë kanë shpërthyer në brohorima mbështetëse ndaj Ukrainës.

“A po kënaqeni?”, i pyeti ai spektatorët, nga të cilët mori një përgjigje pozitive. “Jam i lumtur që e dëgjoj këtë gjë. Por, ndonjëherë duhet të kuptojmë se sa të privilegjuar jemi që kemi mundësi të jemi këtu dhe të sillemi si të shfrenuar, ndërsa të tjerë zgjohen nën zhurmat e bombave”.

Kështu e rroku gjithë vëmendjen e publikut grupi italian.

Për herë të parë në skenën e festivalit shkretinor, Maneskin performuan edhe këngët e tyre origjinale, përfshi disa risjellje të këngëtarëve të ndryshëm si “Womanizer” nga ikona e pop-it, Britney Spears apo këngë nga Iggy Pop.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore