Sport

FSHV publikon aktivitetet pas marrjes së dritës jeshile nga ministria për rinisjen e volejbollit


Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pasi mori lejen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të vijuar me aktivitetet e saj, ka publikuar kalendarin, datat dhe formatin e kampionateve dhe kupave për sezonin 2020/21. Datat e përcaktuar për nisjen e volejbollit janë 13 dhe 14 shkurti i 2021.

Komiteti Ekzekutiv i FSHV, mori vendimin për ndryshimin e datave dhe formateve të kampionateve dhe kupave, për shkak se koha që është në dispozicion sipas kërkesave të Federatës Ndërkombëtare të Volejollit (FIVB) është e shkurtër.

Kampionati Kombëtar për meshkuj do të zhvillohet me dy grupe. Ekipet do të ndahen sipas klasifikimit të sezonit të shkuar, në bazë të sistemit “Serpentines”. Në Grupin A: Erzeni, Skënderberu, Vllaznia, Elbasani dhe Teuta. Në Grupin B: Partizani, Tirana, Studenti dhe Farka.

Pas përfundimit të kësaj faze, do të luhet faza e play-off (1/2). E para e Grupit A (A1) do të ndeshet me të dytën e Grupit B (B2). Në rast barazimi 1-1, do të luhet përsëri sfida A1 kundër B2. Ndeshja tjetër do të jetë, e para e Grupit B (B1) kundër të dytës së Grupit A (A2). Nëse ndeshja përfundon në barazim 1-1, do të luhet përsëri B1 kundër A2.

Pas kësaj faze do të zhvillohen ndeshjet finale. Ekipi me tre fitore (në maksimin pesë ndeshje të luajtura) shpallet kampion.

Grupi A, luan fazën e parë dhe të dytë në shkurt dhe mars. Përkatësisht në fazën e parë, java e parë do të luhet në 14 shkurt, java e dytë në 21 shkurt, java e tretë në 28 shkurt, java e katërt në 4 mars dhe java e pestë në 7 mars. Faza e dytë, fillon me javën e gjashtë, në datën 17 mars, java e shtatë në 21 mars, java e tetë në 25 mars, java e nëntë në 28 mars dhe java e 10 në 31 mars.

Grupi B gjithashtu do të luajë fazën e parë dhe të dytë në shkurt dhe mars. Faza e parë do të luaj javën e parë në 19 shkurt, java e dytë do të luhet në 26 shkurt dhe java e tretë në 5 mars. Faza e dytë, do të filloj me javën e katërt, që do të luhet në 19 mars, java e pestë në 26 mars dhe java e gjashtë në 31 mars.

Kampionati Kombëtar për femra do të ketë 12 ekipe (Agrotourism Huqi është tërhequr). Edhe ky kampionat do të ndahet në dy grupe. Ekipet do të klasifikohen në bazë të kampionatit të mëparshëm dhe në bazë të sistemit “Serpentines”.

Grupi A: Mirdita, Barleti, Vllaznia, Apolonia, Elbasani, Flamurtari. Grupi B: Tirana, Partizani, Teuta, Skënderbeu, Lushnja dhe Korabi.

Dhe ky kampionat do të jetë si ai i meshkujve për fazat e play-off dhe finalet.

Grupet A dhe B, do e luajnë fazën e pare dhe të dytë në shkurt dhe mars. Faza e parë e Grupit A, do e luaj javën e parë në 13 shkurt, java e dytë në 20 shkurt, java e tretë në 27 shkurt, java e katërt në 3 mars dhe java e pestë në 6 mars. Faza e dytë për Grupin A, do të nisë në javën e gjashtë, në datën 16 mars, java e shtatë në 20 mars, java e tetë në 24 mars, java e nëntë në 27 mars dhe java e 10 në 30 mars.

Grupi B do të nisë fazën e parë, në datën 13 shkurt, me javën e parë, 20 shkurt java e dytë, 27 shkurt java e tretë, 3 mars java e katërt dhe 6 shkurt java e pestë. Faza e dytë fillon me javën e gjashtë, në datën 16 mars, java e shtatë në 20 mars, java e tetë në 24 mars, java e nëntë në 27 mars dhe java e 10 në 30 mars.

Formati i Kupës së Shqipërisë, për meshkuj dhe femra është përcaktuar që të zhvillohet me fazën e 1/2, direkt pas mbarimit të fazës së parë të kampionatit. Do të marrin pjesë dy ekipet e para të çdo grupi. Ndeshjet do të zhvillohen në 9 mars për femrat dhe 10 mars për meshkujt. Do të jenë me eleminim direkt. Formati i përcaktuar do të jetë A1 kundër B2 dhe B1 kundër A2.

Ndeshjet e 1/2  do të luhen në fushën e ekipit që është më lart në klasifikim, pas përfundimit të fazës së parë. Ndeshja finale do të luhet në 14 mars, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Fituesi i A1-B2 kundër fituesit të B1-A2. Vendimi mbi vendin ku do të zhvillohet finalja për të dy kategoritë, pritet të dal në ditët në vazhdim nga FSHV.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore