Lajme

Fshihet një nga muralet e kriminelit Ratko Mlladiç në Beograd


Murali i Ratko Mlladiç-it në qendër të Beogradit

Një nga muralet e të të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, që ishte pikturuar në fasadën e një ndërtese banimi në rrugën Njegosheva, në qendër të Beogradit, të martën është mbuluar me sprej të bardhë, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Një ditë më herët, aktivistët dhe qytetarët serbë ishin përpjekur të fshinin muralin e Mlladiç-it me furça çeliku, por aksioni përfundoi duke vizatuar një zemër të kuqe, që mbulonte fytyrën e ish-gjeneralit të ushtrisë së Republikës Serbe që kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ky aksion i aktivistëve dhe qytetarëve serb vjen pas vrasjeve masive në Serbi, ku mbetën të vdekur rreth 17 persona dhe disa dhjetëra të plagosur. Më 3 maj, në shkollën “Vlladislav Ribnikar”, janë vrarë tetë nxënës dhe një rojë e sigurisë. Një ditë më pas, një sulmues tjetër vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë.

Muri i ndërtesës ku ndodhej murali i Mlladiç-it/Radio Evropa e Lirë

Youth Initiative for Human Rights (YIHR), në mars të këtij viti, kishte dorëzuar 308 shkresa në shërbimet komunale të dhjetë qyteteve dhe komunave në Serbi, me kërkesën për heqjen e muraleve dhe grafiteve që glorifikojnë Mlladiç-in dhe kriminelët e tjerë të luftës.

“Shërbimet komunale të qyteteve dhe komunave kanë obligim ligjor të pastrojnë fasadat në Serbi nga vizatimet e Ratko Mlladiç-it dhe kriminelëve të tjerë të luftës, por edhe nga të gjitha grafitet tjera që nxisin urrejtje”, patën njoftuar nga rrjeti rajonal i organizatave joqeveritare.

Nga 308 grafite dhe murale kushtuar Mlladiç-it, më shumë se 250 ndodhen në territorin e qytetit të Beogradit, gjë që tregon reagimin e organizuar dhe masiv të grupeve të dhunshme ndaj kërkesës për heqjen e muralit të Mlladiç-it nga rrugët e Beogradit.

Mlladiç ishte dënuar për gjenocid në Srebrenicë për përndjekje të myslimanëve dhe kroatëve nga Bosnja dhe Hercegovina, për terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrje peng të pjesëtarëve të misioneve të huaja gjatë luftës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi në qershor të vitit 2021 dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Ushtria e tij e kishte mbajtur të rrethuar Sarajevën për 1 mijë e 460 ditë duke hedhur qindra mijëra granata dhe sulme tjera mbi qytet. Më shumë se 11 mijë e 500 njerëz u vranë. Numri i fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës është rreth 1 mijë e 600.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore