Sport

FSHF bashkëpunon me UEFA dhe FA për përfshirjen e vajzave në futboll


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në bashkëpunim me UEFA dhe Federatën Angleze të Futbollit (FA) do të sjellë në Shqipëri kompaninë “Disney” përmes programit “Playmakers”. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është përfshirja e vajzave në botën e futbollit.

Programi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UEFA për të punuar ngushtë me federatat anëtare dhe për të siguruar prani më të madhe të vajzave në futboll.

“Playmakers” i krijuar në bashkëpunim me “Disney” është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës pesë deri në tetë-vjeçe, që nuk kanë luajtur kurrë futboll më parë.

Ai synon t’i familjarizojë vajzat me futbollin duke siguruar një mjedis posaçërisht për to me në fokus argëtimin, miqësinë dhe futbollin; të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

Zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një nga prioritetet kryesor të FSHF, që ka nisur ndërkohë edhe projekte të tjera. Një nga këto është projekti “Futbolli në Shkolla” , që ka filluar rreth dy vite më parë dhe konsiston në kthimin e orëve të edukimit fizik në shkolla në orë futbolli, dy herë në javë, vajza dhe djem.

Në të janë të përfshirë rreth 20 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë në mbi 280 shkolla në të gjithë vendin, projekt i cili vazhdon dhe është për fëmijët e moshave të vogla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore