Shqipëria

FRPD-ja e (pa)ndarë mes Bashës dhe Berishës


Zhvillimet e fundit në kampin demokrat në Shqipëri nuk kanë lënë pa “turbulluar” edhe të rinjtë e kësaj force.

Këta të fundit duket se janë pozicionuar në “demokratët e Bashës” dhe “demokratët e Berishës”. Megjithatë, mendime ndryshe vijnë nga ata.

Ermal Gadime, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) në Durrës, këtë situatë nuk e konsideron si ndarje.

Për Albanian Post, ai thekson se “të rinjtë janë përtej dy emrave Berisha-Basha”.

“Mendimi ndryshe jo medoemos është krijim i një fraksioni. Pavarësisht kohës sfiduese që po kalon familja jonë politike, të rinjtë dhe të gjithë demokratët në fund do të jenë bashkë kundër Edi Ramës”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha në takim me të rinj në Tiranë

Nga ana tjetër, Malbor Duka anëtar Kryesie i Forumit, pohon për Albanian Post pozicionimin krah ish-liderit të PD-së, Sali Berisha.

Sipas tij, shumica e të rinjve janë për një ridimensionim të kësaj partie.

“Brenda forumit më shumë se sa fraksione, ka një qëndrim thuajse të unifikuar në raport me këtë çështje. Shumica absolute janë pro kësaj lëvizjeje për rikthimin e PD-së në një parti që është alternative serioze qeverisëse”.

Për Dukën, mbështetja e tij dhe e shumë të rinjve nuk bëhet as për emra të përveçëm, as për interesa personale.

Malbor Duka

“Kjo pasi mosha mesatare e të rinjve në FRPD është 25 vjeç dhe shumica jonë në momentin që ka zgjedhur të angazhohet, ka njohur Lulzim Bashën. Mirëpo, Berisha është i vetmi politikan, i cili mund të mobilizojë një lëvizje të këtyre përmasave për ta çliruar PD-në nga ky ngërç”.

Kryetari i FRPD-së njëkohësisht dhe deputet, Belind Këlliçi, është një nga pozicionimet në krah të ish-kryeministrit Berisha.

Sa ka ndikuar kjo zgjedhje tek të rinjtë e tjerë?

Për Malborin, “prania e figurave të reja si Belind Këlliçi në krahun e Sali Berishës, që ishte dhe një nga deputetët më të votuar në rang kombëtar, është një garanci më shumë për çdo të ri që t’i bashkohet këtij misioni për t’i rikthyer dinjitetin Partisë Demokratike”.

“Secili nga anëtarët e FRPD-së ka qenë i lirë të ketë mendimin dhe qëndrimin e tij në raport me këtë çështje”, ravijëzoi ai.

Gadime mendon se “nuk ka pasur lobim nga Këlliçi për të zgjedhur njërin krah ose tjetrin”.

FRPD nisi të premten e 5 nëntorit procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat, me kërkesë të kryedemokratit Basha.

Grupi i punës

Për herë të fundit, këto zgjedhje janë zhvilluar në dhjetor 2015.

Duka bën me dije se, për sa i përket këtij procesi të iniciuar nga Basha “qëndrimi i FRPD-së ka qenë i unifikuar dhe i qartë që në fillim”.

“Kjo nismë është tërësisht antistatutore dhe e pavlefshme juridikisht, për shkak se Forumi Rinor është një organizatë partnere e PD, e cila ka statutin e saj dhe vetërregullohet në nivel qendror dhe lokal”.

Ndërsa Ermali tregon se po punohet për procesin zgjedhor.

“Deri në fund të janarit, çdo i ri ose e re që dëshiron të kandidojë për forumin, ka të drejtë të regjistrohet, po ashtu dhe anëtarësimet e reja. Si pasojë e aktualitetit politik të ngjeshur duke pasur çdo ditë ngjarje të re, ka bërë që të mos ketë vëmendjen e duhur, por po punohet”.

Lideri dhe ish-lideri vijojnë turet e tyre në qytete, nën logon e njëjtë, por me qëndrime të ndryshme.

Berisha kërkon ta shkarkojë Bashën, ndërsa Basha e ka përjashtuar atë.

Qëndrimi i vërtetë i të rinjve pritet të shihet në zgjedhjet e thirrura, nëse do të realizohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore