Lajme

Frikë për ushtarët azov, mund të gjykohen nga rusët


Do të ketë një gjykim për të gjithë ushtarët ukrainas të dorëzuar në fabrikën e çelikut dhe qymyrit, Azovstal, pas evakuimit të tyre nga Mariupoli drejt qytezave pranë, të cilat momentalisht zotërohen nga pala ruse.

Këtë lajm e bën me dije agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Prej këtij raportimi gjithsesi, kanë nisur shqetësime shumë serioze mbi fatin e 260 azovëve, të cilët për 80 ditë i rezistuan rrethimit të qytetit jugor portual të Mariupolit, duke u kthyer edhe në simbolin e rezistencës ukrainase, përgjatë agresionit rus me fillim në 24 shkurt 2022.

Sipas palës ukrainase, do të jetë në shkëmbim mes dy vendeve, ai i cili do t’i japë lirinë atyre dhe të drejtën për t’u kthyer në shtëpi.

Kievi ka tashmë në dispozicion numra të lartë të rusëve të kapur në luftë, të cilët i kanë mbajtur si pengje dhe negociatat me Moskën mendohet se janë përmbyllur tërësisht. Por numra realë nuk janë bërë me dije.

Lajmin se mund të ketë një gjykim për azovët e kanë hedhur në media edhe disa funksionarë të lartë rusë, të cilët madje kanë arritur të konvergojnë një skenar, ku ata edhe mund të burgosen për “krime gjatë luftës” apo detaje të tjera.

Mes azovëve, mendohet se mund të ketë elementë të së djathtës ekstreme e deri tek neonazizmi, ndaj Vladimir Putin mund t’i përdorë ata edhe për të justifikuar sulmin ushtarak në Ukrainë.

Denazifikimi i Kievit ka qenë ndër të parat pretendime të kreut të Kremlinit, mbi arsyet se pse i ndërmori këto veprime ndaj Ukrainës.

Megjithatë, organizata të rëndësishme botërore si Kombet e Bashkuara apo Kryqi i Kuq, janë pjesë e ndërmjetësimit dhe kanë dhënë garanci për shkëmbimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore