Lajme

Frika paralizuese e Gjermanisë nga lufta


Gjermania beson se Rusia është e rrezikshme, por mund të parandalohet.

Javët e ardhshme do të tregojnë nëse kjo është e vërtetë.

Prej më pak se një muaj qëkurse koalicioni qeverisës “semafor” i qendrës së majtë të Gjermanisë mori detyrën, tashmë është e qartë se krijimi i një politike të bashkuar për Rusinë është i vështirë dhe i dëmtuar nga mosmarrëveshjet bazike.

Kjo është prognoza e studiueses dhe analistes postdoktorale me qendër në Berlin, Oxana Schmies.

Oxana Schmies

Historia gjermano-ruse, qëndrimet tradicionale në shoqërinë gjermane dhe lidhjet e krijuara prej kohësh të biznesit e kanë bërë çështjen më të vështirë dhe më kontestuese nga sa mund të ishte shfaqur gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Kjo mund të sjellë komplikime nga kërcënimi i atij që mund të jetë konflikti më i madh në kontinent prej më shumë se shtatë dekadash.

I gjithë sistemi i sigurisë evropiane po vihet në pikëpyetje nga Rusia, ndërsa Gjermania duket se është e ngrirë nga pasiguria.

Qeveria e re është shumë qartë e ndarë mes kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz, një socialdemokrat, i cili ruan me xhelozi të drejtat e tij mbi politikën e jashtme dhe i cili ofron komente të buta për Rusinë, dhe ministres së tij të Jashtme Annalena Baerbock, nga rradhët e të Gjelbrëve, e cila është dukshëm më e drejtëpërdrejtë.

Të Gjelbrit kanë vënë në pikëpyetje më herët projektin e tubacionit të gazit “Nord Stream 2” dhe madje kanë folur për dërgesat e mundshme të armëve në Ukrainë.

Kjo, ndërsa kanë argumentuar për një qasje të politikës së jashtëme më të orientuar nga të drejtat e njeriut rreth çështjeve globale.

Opinioni publik gjerman është gjithashtu më kompleks sesa vlerësojnë shumë të huaj.

Një sondazh i muajit janari tregoi se 73% nuk ​​e shohin Rusinë e Vladimir Putin-it si “një partner të besueshëm”.

Ndërsa një tjetër sondazh, nga Kompania e sondazheve “Pew”, tregoi se vetëm 16% prej tyre e konsiderojnë Rusinë si një kërcënim të madh.

Ekzistojnë gjithashtu kontradikta më të thella në thelb.

Socialdemokratët, partia më e fortë në qeverinë e re, duket se e konsiderojnë “dialogun” dhe ekonominë si zgjidhjen përfundimtare në raporti me politikën ruse.

Politika e jashtme e qeverisë tani është e zhytur në gjuhën e bisedimeve, me magjepsje të përsëritura të formulës se “asgjë nuk zgjidhet me konflikt”.

Gjërat ishin më premtuese fillimisht.

Christine Lambrecht, ministrja e Mbrojtjes (SPD), vizitoi trupat gjermane të NATO-s në Baltik menjëherë pasi Rusia publikoi kërkesat e saj për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë.

Gjithçka në këtë vizitë ishte e re për zyrtaren gjermane, veçanërisht për një socialdemokrate.

Lambrecht shprehu solidaritetin e fortë gjerman si për SHBA-të ashtu edhe për Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe e quajti Rusinë agresore.

Ajo foli për sanksione të mundshme personale kundër rrethit më të ngushtë të Putin-it dhe vetë Putin-it.

“Gjermania ka rritur gatishmërinë e forcës së reagimit të shpejtë”, tha ajo.

Pothuajse menjëherë, socialdemokratët u tërhoqën dhe dukej se po rindërtonin politikën e tyre ndaj Rusisë nga fillimet.

Një seri deklaratash socialdemokrate pasuan mbi projektin “Nord-Stream 2”, gazsjellësin që ende ende nuk është hapur.

Scholz e quajti Nord Stream 2 “një projekt thjesht të sektorit privat”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së Kevin Kuehnert tha, “një sulm i mundshëm nga Rusia ndaj Ukrainës, nuk duhet të trajtohet” në mënyrë që të varrosen projekte si ky igazsjellësit.

Zbutja e dukshme e toneve të SPD-së dhe ndarjet e dukshme brenda koalicionit shkaktuan njëfarë diskursi tallës brenda Gjermanisë dhe zemërim midis partnerëve.

Humori ambivalent social i mosbesimit, por jo i përballjes me Rusinë, dhe deklaratat e socialdemokratëve të shquar janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.

Politika aktuale e Rusisë, e cila është ndjekur për të paktën dy dekada, i ka ende rrënjët e saj në atë që e majta gjermane konsideron si triumfin e saj të madh të shekullit të 20-të, “Ostpolitik”.

“Nord Stream 2” është një element i këtij mendimi me ndërvarësinë dypalëshe në çështjet e energjisë që vijnë nga vitet 1960 dhe 1970.

Në fakt, lidhjet e ngushta ekonomike gjermano-ruse janë kryesisht për shkak të socialdemokratëve të viteve 1960.

Ostpolitika e Willy Brandt dhe Egon Bahr ishte qartësisht- një afrim gradual ekonomik me Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, i cili duhej të arrinte ndryshimin gradual politik, veçanërisht brenda një Gjermanie të ndarë.

Ai vendosi synimet politike mbi përfitimet e mundshme ekonomike. Në planin afatgjatë, qëllimi më i lartë ishte arritja e heqjes së kufirit të brendshëm gjerman.

Është e vështirë të dallosh synime kaq të larta mes socialdemokratëve të tanishëm.

A janë ata thjesht duke kërkuar lidhje më të mira biznesi, dhe ruajtjen e tregtisë ekzistuese, apo ndoshta po kërkojnë të bindin regjimin rus me kalimin e kohës, përmes iniciativave me korporatat shtetërore ruse si Gazprom dhe Rosneft?

A duhet që kjo marrëdhënie energjetike të formojë shtyllën kurrizore të marrëdhënieve midis dy vendeve, pasi Gjermania e varur nga energjia kërkon një ekonomi të gjelbër dhe një tranzicion të gjelbër?

Në atë rast, institucionet e krijuara nga autorët social-demokratë të Ostpolitik-ës mund të ndihmojnë ndoshta firmat e lidhura me Kremlin-in për t’u modernizuar, dhe në këtë proces t’i largojnë ato nga mënyrat e vjetra të biznesit.

Duhet të shtrohet pyetja nëse Rusia ka interesin më të vogël në këtë lloj rritjeje të përbashkët.

Në vitet 1960 dhe 1970, monedha e fortë e privoi Bashkimin Sovjetik nga marrëveshjet e nevojshme me Perëndimin dhe Republika Federale ishte e lumtur të ndihmonte.

Por Rusia e sotme thotë hapur se kërkon një kthim në të kaluarën, e cila përbën një kërcënim të madh për lindjen e Evropës.

Ostpolitika e bazuar në interesa biznesi pa një qëllim të qartë politik është e vjetëruar.

Stabiliteti, të cilin socialdemokratët pohojnë se është qëllimi i tyre më i madh, është sigurisht një e mirë e madhe.

Në lidhje me Rusinë e Putin-it, megjithatë, ka vetëm një gjë që mbetet e qëndrueshme dhe ajo është dëshira e saj për destabilitet, veçanërisht në shtetet demokratike në vendet e saj kufitare.

Në kushte të tilla, mbështetja socialdemokrate në “mirëkuptimin e ndërsjellë” është e vjetëruar, naive ose fsheh ndonjë motiv tjetër.

Në një kohë trazirash të krijuara nga Rusia, siguria evropiane mund të përkufizohet vetëm në termat e sigurisë perëndimore kundrejt asaj ruse.

Megjithatë, udhëheqësi parlamentar i SPD-së, Rolf Muetzenich, flet për “një komunitet pluralist të sigurisë” që “përjashton luftën midis anëtarëve të tij dhe përfundimisht kapërcen aleancat ushtarake”.

Kjo, edhe pse ngarkesat e trenave me trupa ruse dhe forca të blinduara derdhen në kufijtë e Ukrainës.

Ndoshta, mendon ai, Evropa mund të ketë aleanca pa ushtri.

Deklarata të tilla sugjerojnë se disa politikanë gjermanë kanë humbur lidhjen me realitetin dhe po minojnë unitetin evropian dhe transatlantik.

“Jo më luftë”, një maksimë e përvetësuar nga e gjithë shoqëria gjermane, bëhet më pak e dobishme kur shteti mik – Ukraina – kërkon armë dhe i thuhet se Gjermania është kundër konflikteve.

Në atë rast, politika thjesht bëhet një parrullë.

Baebock shpjegoi gjatë vizitës së saj në Kiev këtë javë se “politika e paqes” e qeverisë ndalon eksportet e armëve në vendet ku ndodhin luftëra.

“Diplomacia është e vetmja rrugë”, i tha ajo homologut të saj ukrainas. Ndërkohë, avionët e RAF-it që transportonin armatim në Ukrainë u drejtuan rreth Gjermanisë sepse nuk kishin dokumentet e nevojshme.

Ngjarjet në një krizë të shpejtë dhe të rëndë evropiane nuk do të presin nga qeveria gjermane në mënyrë që ajo të mund të farkëtojë disa fërkime koalicioni.

Prej dekadash, Gjermania ka qëndruar e fortë për parimet e sigurisë evropiane të bazuara në të drejtën ndërkombëtare.

Ajo ka krijuar marrëdhënie dhe ka ndihmuar që Bashkimi Evropian të bëhet një motor i prosperitetit të pashembullt kontinental.

Megjithatë, tani ekziston një rrezik, mundësia që ato kohë stabiliteti dhe negociatash mund të mos jenë të mjaftueshme dhe se duhet të konsiderohet një luftë më e ashpër politike.

Gjermania e do paqen, por në mënyrë paradoksale, frika e saj e bazuar historikisht nga lufta mund të nxisë një konflikt nëse dobëson parandalimin perëndimor.

Tani për tani, një ndryshim në politikë duket i pamundur. Çdo ndryshim në perspektivë mund të vijë pasi pasojat e një politike tepër paqësore të jenë bërë të qarta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore