Lajme

Frika e Vuçiç’it nga përjashtimi i Rusisë nga OKB-ja, çfarë implikime ka për Kosovën?


Ilustrim

Për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një gjë është e sigurt – shtetet perëndimore po përpiqen ta përjashtojnë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve Bashkuara.

Kur fjala është për largimin e Rusisë nga organizata ndërqeveritare që për synim ka ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, Vuçiç përveç se është i sigurt, është edhe i vendosur – “Serbia nuk do të votojë për këtë, përjashtimi i Rusisë kërkon një shumicë prej dy të tretash”.

“Një gjë e tillë do të ishte shkatërrimi i rendit ekzistues ndërkombëtar, për këtë ata kanë nevojë që Kina të mos ushtrojë të drejtën e saj për Veto”, ka shpjeguar Vuçiç para gazetarëve në margjinat e sesionit të 77-të të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Përjashtimi i Rusisë nga OKB-ja, sipas Vuçiç’it është një fatkeqësi si për Serbinë ashtu edhe për “çështjen e Kosovës”.

“Na presin kohë të vështira dhe një barrë e madhe”, kishte shtuar ai.

Albanian Post, muaj më parë pikërisht në javët e para të fillimit të invazionit rus në Ukrainë, kishte trajtuar si temë frikën e shprehur të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se me përjashtimin eventual të Rusisë nga Këshilli Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas pushtimit rus të Ukrainës, do të hapet mundësia e ndryshimit të Rezolutës 12/44 dhe si rrjedhojë Kosova do anëtarësohet në OKB.

Njohësit e dinamikave të Ballkanit, argumentonin për Albanian Post, se me përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja, hapet rruga e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Vuçiç, shpjegonin asokohe analistët e politikave ndërkombëtare, gjendet në qorrsokak, pas mos rreshtimit të Serbisë krah botës perëndimore për të sanksionuar Rusinë.

Vuçiç, “i kurthuar dhe tragjik” – Piskamat e fundit të njohjes së Kosovës

Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Branislav Radeljiç, deklaratat e Vuçiç – se me përjashtimin e Rusisë nga OKB, hapet rruga e njohjes së Kosovës –  janë të destinuar për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër për atë që do të duhet të bëjë së shpejti – njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Vuçiç është tragjik dhe i kurthuar. Parandjenjat e Vuçiç janë pjesë e retorikës së tij egoiste. Ai po grumbullon arsye të reja dhe po kërkon aktorë të tjerë për të fajësuar për atë që do të duhet të bëjë së shpejti – Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Serbët dhe shqiptarët e Kosovës duhet të identifikojnë mënyrat më të përshtatshme të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në të ardhmen”, kishte thënë Radeljiç për Albanian Post.

Në anën tjetër, për Kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, me agresionin rus i gjithë konteksti ndërkombëtar kishte ndryshuar, dhe rrjedhimisht muri mbështetës i Serbisë në OKB – Rusia ishte në një gjendje të rënduar.

“Asgjë nuk është më e njëjtë, veçanërisht për Evropën. Serbia mbështetej në veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit për mbrojtjen e interesave të saj në Kosovë”, ka thënë Biserko për AP.

Serbia, sot e asaj dite, është e vetmja vend, duke mos e llogaritur Biellorusinë, e cila nuk i është bashkuar sanksionimit të Rusisë pas sipërmarrjes saj pushtuese në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore