Vende

Freskia e natyrës së paprekur


Nëse jeni në kërkim të një vendi ku qetësia dhe natyra shkrihen natyrshëm, këtë e ofron Ujëvara e Sotirës.

Një bukuri e pakrahasueshme, me një burim që vjen nga Mali i Tomorrit, dhe çdo vit e më shumë tërheq turistë.

Derdhjet që rrjedhin përmes shkëmbinjve gëlqerorë e që bien në trajtë çurgjesh nga lartësitë 20-100 metra, të bëjnë të përhumbesh totalisht në një spektakël ngjyrash e përjetimesh.

Rrugëtimi konsiderohet, në përgjithësi, si i lehtë për t’u gjetur dhe përshkuar.

Imagjinoni ndjesinë e të shkelurit mes për mes një natyre të pashkelur, plot gjelbërim e freski që përcillet nga burimet e shumta ujore që do të hasni rrugës dhe shfaqjen befas të Ujëvarës madhështore me zhurmën karakteristike të saj.

Falë një tarrace të blertë, ju mund t’i afroheni Ujëvarës e të pushoni nën joshjen e burimeve.

Peizazhet e gjelbra të pyjeve e pemëve të lisit përreth me lumin e Sotirës që krijohet nga ujëvara, janë dekori perfekt i një ambienti natyror të paprekur nga dora e njeriut.

Në fund, nuk mund të shpëtoni pa bërë dhe disa refleksione personale shtyrë nga mbresat e udhëtimit.

“Bukuria do të shpëtojë botën”, shkruante Dostojevski shumë kohë më parë.

Nëse gjatë shekullit të fundit ndërhyrja e njeriut ka shpërfytyruar keqazi tokën, në këtë vend ende mund të takohet natyra me tërë bukurinë e saj autentike.

Ndoshta ujëvara e Sotirës nuk do mund të shpëtojë botën, por mund t’ia dalë të jetë hapësira ku të gjithë shpirtrat ëndërrimtarë të mund të jetojnë plotësisht lirinë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore