Sport

French Open mund të shtyjë datën, Franca në mbylljen e tretë


Ministrja franceze e Sportit, Roxana Maracineanu, është shprehur se ekziston një mundësi të shtyhet data e French Open-it për arsye të pandemisë Covid-19.

Të shtunën e 3 marsit qeveria franceze futi sërish në fuqi kufizimet ndaj coronavirus-it, duke hyrë në karantinimin e saj të plotë për herë të tretë. Disa sporte janë kursyer nga masat shtrënguese të qeverisë.

Vitin e kaluar, Grand Slam-i francez u shty katër muaj më larg nga data fillestare (27 shtator deri më 11 tetor) dhe u zhvillua me numër të limituar spektatorësh, për të parandaluar kështu përhapjen e coronavirus-it.

“Jemi duke diskutuar ende me Federatën Franceze të Tenisit. Qëllimi është të shohim nëse është e domosdoshme ta shtyjmë datën e French Open-it dhe nëse e bëjmë, a do të rastisë me datat e hapjes së sporteve të tjera”, tha të shtunën në mbrëmje Maracineanu në Francë për Info radio.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të mërkurë (31 mars) se pret ta hapë sërish shtetin nga mesi i muajit maj.

Drejtori i Përgjithshëm i Federatës Franceze të Tenisit, Gilles Moreton, ka thënë më herët këtë javë se nuk mund të imagjinojë anulimin e një Grand Slam-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore