Lajme

Francë, protesta kundër projektligjit të sigurisë


Një raund tjetër protestash po zhvillohet në Francë kundër projektligjit që kufizon të drejtat e gazetarëve për të filmuar oficerë të policisë në detyrë.

Rikujtojmë se mijëra njerëz dolën në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze kundër projektligjit të debatueshëm për sigurinë e përgjithshme, i cili do të cenonte lirinë e informacionit dhe të drejtat e medias. Ato zhvilluan marshime për të mbrojtur liritë e tyre.

Në Paris mijëra demonstrues u mblodhën në sheshin “Trocadero” pranë Kullës Eiffel. Ata brohorisnin “liri, liri” dhe “të gjithë duan të filmojnë policinë“.

Lidhja e të Drejtave të Njeriut, sindikatat e gazetarëve dhe grupe të tjera ishin ato që inkurajuan njerëzit të marrin pjesë në protesta. Turma përfshinte gazetarë dhe studentë.

“Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur një privilegj të profesionit tonë”, ka thënë Edwy Plenel, bashkëthemelues dhe redaktor i faqes hetimore Mediapart. “Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat themelore, të drejtat e të gjithë njerëzve “, ka nënvizuar ai.

Qeveria franceze ka deklaruar se propozimi ka pasur si qëllim mbrojtjen e oficerëve të policisë nga thirrjet për dhunë në internet.

Në lidhje me këtë çështje, kritikët kanë pasur frikë se nëse ligji miratohej, ai do të rrezikonte gazetarët dhe vëzhguesit që i bënin video oficerëve në punë. Veçanërisht fotove të realizuara gjatë demonstratave të dhunshme. Këto shkelje do të dënoheshin deri në një vit burg dhe me një gjobë prej 45 mijë eurosh.

Kryeministri i Francës, Jean Castex, ka deklaruar se projektligji nuk do të pengojë lirinë e informacionit.

Ai do të jetë i vlefshëm vetëm për imazhet e transmetuara me qëllim për të dëmtuar policët apo oficerët”, ka shtuar ai.

Policia e Parisit arrestoi 142 persona në protestat kundër ligjeve të propozuara të sigurisë. Pesë arrestime u raportuan në Lyon, midis njerëzve që sulmuan policinë dhe kërkuan të plaçkisnin dyqanet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore