Lajme

Francë/ Miratohet ligji që mbron fëmijët nga abuzimet seksuale


Deputetët francezë kanë miratuar ligjin e ‘mos-pëlqimit’, për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual. Sipas projekligjit, një fëmijë nën 15 vjeç nuk mund të konsiderohet se është angazhuar me dëshirë në një akt seksual.

Legjislacioni, i hartuar pas një serie skandalesh që përfshijnë figura të profilit të lartë, përcakton një moshë të “mos-pëlqimit”, 15 vjeç.  Në rastet e incestit, mosha është caktuar 18 vjeç.

Ligji i propozuar nga qeveria e Emmanuel Macron, u miratua me mbështetjen e plotë të të gjitha partive.

Për të shmangur kriminalizimin e seksit midis adoleshentëve dhe të rriturve të rinj, ai përfshin një klauzolë të ashtuquajtur “Romeo dhe Xhulieta”.

Kjo do të thotë se ndëshkimi duhet të zbatohet vetëm nëse ndryshimi në moshë midis të rriturit dhe personit të abuzuar, është të paktën pesë vjet.

“Unë nuk dua të dërgoj një fëmijë 18 vjeç përpara një gjykate sepse ai kishte një marrëdhënie pëlqimi me një vajzë 14 vjeç e gjysmë”, tha ministri i Drejtësisë, Dupond-Moretti.

Projekt-ligji, i cili tani do të shqyrtohet nga një komision i përbërë nga deputetë dhe senatorë, pritet të kalojë në ligj për disa javë.

Pse pikërisht tani?

Miratimi i ligjit u nxit nga skandalet e fundit që kanë ndodhur në Francë, në lidhje me abuzimet seksuale.

Camille Kouchner botoi librin e saj La Familia Grande, ku akuzoi njerkun e saj Olivier Duhamel, një ekspert të njohur kushtetues dhe komentator të medias, për abuzim seksual të vëllait të saj binjak.

Në një rast tjetër vitin e kaluar, shkrimtari francez fitues i çmimeve Gabriel Matzneff, 84 vjeç, u vu nën hetim për përdhunim pasi Vanessa Springora shkroi në librin e saj, se ajo kishte pasur një marrëdhënie seksuale me të në mes të viteve 1980. Në atë kohë ajo ishte 14 vjeç ndërsa Matzneff 36 vite më i madh se ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore