Tregjet

Franca teston asetet kripto në serinë e marrëveshjeve të bonove të qeverisë


Franca ka përdorur asetet digjitale dhe sistemet e regjistrimit të transaksioneve në një seri transaksionesh me bono.

Kjo lëvizje ka shënuar një nga provat më domethënëse të kriptomonedhës deri më tani, në një treg të krijuar.

E përditshmja “Financial Times” tregon se partneriteti i pjesëmarrësve më të mëdhenj të tregut financiar të Francës përdori një monedhë digjitale të lëshuar nga Banque de France si pjesë e eksperimentit 10-mujor në tregun e borxhit në vend.

Testi u drejtua nga depozituesi i letrave me vlerë, Euroclear dhe përfshiu shumë nga bankat më të mëdha të Francës, si dhe zyrën franceze të borxhit publik dhe bankën qendrore.

Gjithashtu përdori një sistem të zhvilluar nga kompania teknologjike  IBM me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky projekt pilot ishte pjesë e një skeme të porositur nga Banque de France në mars të vitit të kaluar.

E gjitha për të eksploruar sesi monedhat digjitale të emetuara nga banka qendrore do të shkëmbeheshin dhe shlyheshin nëse ato do të ishin shndërruar në shenja, me marrëveshje të regjistruara në një regjistër digjital.

Zakonisht, tregon “Financial Times”, marrëveshjet pajtohen midis palëve dhe aktivet transferohen në një autoritet të vetëm, si një bankë qendrore ose depozitues i letrave me vlerë.

Lëvizja vjen teksa rregullatorët globalë po i kërkojnë këtë vit bankave qendrore të veprojnë përballë rritjes së aktiveve kripto.

Ndërkaq, politikëbërësit janë të shqetësuar se nismat e sektorit privat rreth pagesave dhe emetimit të kriptomonedhës mund të çojnë në humbjen e kontrollit të bankave qendrore mbi politikën monetare.

Lidhur me partneritetin, ai përfshinte BNP Paribas, Crédit Agricole CIB, HSBC dhe Société Générale. Grupet tregtuan bonot e qeverisë si “shenja” të letrave me vlerë dhe i shlyen ato me kriptovaluta të furnizuara nga banka qendrore.

Kështu, projekti testoi dobinë e një monedhe të bankës qendrore në një sërë aktivitetesh të përditshme, të tilla si emetimi i bonove të reja, përdorimi i tyre në marrëveshjet e riblerjes, si dhe pagesa e kuponëve dhe blerja e marrëveshjeve.

Ai ekzekutoi thuajse 500 udhëzime, si në tregjet parësore, ashtu edhe në ato dytësore.

“Së bashku, kemi qenë në gjendje të matim përfitimet e qenësishme të kësaj teknologjie, duke arritur në përfundimin se monedhat digjitale të bankës qendrore mund të shlyejnë paratë e bankës qendrore në mënyrë të sigurt”, ka thënë Isabelle Delorme, zëvendës shefe ekzekutive e Euroclear France.

Muajin e kaluar. politikëbërësi Benoît Cœuré paralajmëroi bankat qendrore të veprojnë më shpejt për të zhvilluar pasuritë digjitale zyrtare sepse teknologjitë e reja të tilla si financat e decentralizuara përbënin një kërcënim për institucionet depozituese dhe ndërmjetësit si bankat dhe depozituesit.

Mirëpo, përpjekjet e bankave qendrore për të krijuar monedha digjitale janë të pabarabarta.

Teksa Kina, Suedia dhe Bahamas janë në një fazë të përparuar, politikëbërësit kryesorë në Evropë dhe SHBA janë angazhuar vetëm për të eksploruar mundësinë e nisjes së tyre.

“Po ecim me shpejtësi drejt ndryshimit thelbësor në infrastrukturën e tregut post-tregtar”, ka zbuluar Soren Mortensen, drejtor global i tregjeve financiare në IBM.

“Ky projekt shkoi përtej iniciativave të mëparshme sepse testoi me sukses shumicën e proceseve depozituese të letrave me vlerë dhe bankave qendrore, teksa eliminoi hapat e ndërmjetëm aktualë, siç është pajtimi midis ndërmjetësve të tregut”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore