Lajme

Franca nxit Gjermaninë të tërhiqet nga Nord Stream II


Ministri francez i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, tha të hënën se Franca i ka kërkuar qeverisë gjermanë të hiqte dorë nga projekti Nord Stream II. Vendimi vjen pas arrestimeve masive të përkrahësvë të Alexei Navalny-t.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe disa vende evropiane e kanë kritikuar projektin e tubacionit.

Sipas tyre kjo do të rrisë varësinë e Gjermanisë dhe BE-së nga Rusia për furnizimet e gazit.

“Ne gjithmonë kemi pasur dyshime të mëdha mbi këtë projekt”, tha ministri.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka mbështetur projektin dhe puna rifilloi në dhjetor pas gati një viti, për shkak të sanksioneve amerikane.

Ministri u shpreh se udhëheqësit evropianë po analizonin sanksionet kundër Rusisë.

Parlamenti Evropian gjithashtu ka kërkuar që ndërtimi i tubacionit të ndërpritet menjëherë.

Zëdhënësja e kancelares, Martina Fietz, tha se qeveria nuk kishte ndryshuar mendim për Nord Stream II.

Politikani i partisë së gjelbër, Jürgen Trittin, u shpreh se ai besonte se anulimi i tubacionit do të ishte i kotë.

Gjigandi rus i energjisë Gazprom, investitori kryesor në projekt thotë se Nord Stream II tani është 94% i përfunduar.

Nord Stream është një sistem i tubacioneve të gazit natyror në det të hapur nga Rusia në Gjermani.

Ai përfshin dy linja që drejtohen nga Rusia drejt Gjermanisë. Nord Stream është në pronësi dhe drejtohet nga Nord Stream AG, aksioneri kryesor i së cilës është kompania shtetërore ruse Gazprom.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore