Biznes

Franca nën presion për të forcuar rregulloret ndaj kriptove


Hervé Maurey, një anëtar i komisionit financiar të Senatit francez, ka propozuar një ndryshim në legjislacion për të eliminuar një klauzolë që do t’u mundësonte kompanive të regjistruara të kriptove të operojnë brenda vendit pa një licencë të plotë rregullatore deri në vitin 2026.

Kjo lëvizje e tij rrit presionin mbi qeverinë dhe rregullatorët mbi qëndrimin kriptomiqësor të Francës.

Rregullat më të ashpra të BE-së do të hyjnë në fuqi në vitin 2024, por Franca po planifikon të ruajë regjimin e saj aktual edhe për 18 muaj të tjerë.

Këtë vit, shqetësimet e kritikëve janë rritur gjatë një ndryshimi tregu në të cilin çmimet e aseteve digjitale janë ulur, të përkeqësuar nga rënia e perandorisë së kriptove FTX të Sam Bankman-Fried muajin e kaluar.

Franca është përpjekur të bëhet një nga vendet më tërheqëse për bazën e kompanive të kriptove, duke joshur kompani të tilla si operatori i këmbimit Binance në Paris.

Regjimi aktual i lejon kompanitë e kriptove të regjistrohen në Francë pa marrë një licencë të plotë, që do të thotë se ato mund të operojnë me kontrolle minimale.

“Rënia e FTX ishte një shpërthim që kontribuoi në një moment llogarie dhe ndërgjegjësimi”, ka thënë Maurey.

“Kjo bëri që një numër lojtarësh brenda sistemit francez të mendojnë se gjërat duhet të mbikëqyren më fort”, ka vijuar ai.

Sakaq, propozimi i tij do t’i detyronte kompanitë të sigurojnë një licencë nga rregullatori francez Autorité des Marchés Financiers (AMF), nga tetori i vitit të ardhshëm.

Ndryshe nga regjistrimi, një licencë ofron mbrojtje të konsumatorit dhe kërkon që kompanitë të zbulojnë më shumë informacion në lidhje me sistemet e kontrollit.

Rreth 50 kompani kripto janë të regjistruara, por asnjëra nuk ka marrë licencë.

Sipas kritikëve, sistemi aktual i Francës nënkupton se konsumatorët mund të gabojnë kompanitë e kriptove si të mbikëqyrura në mënyrë aktive nga rregullatorët.

Adan i Francës, një grup lobues për kriptot, ka thënë se ndryshimet e propozuara ishin një shenjë se vendi po “hiqte dorë nga ambicia e tij” për t’u bërë një qendër kriptosh.

Po ashtu grupi ka akuzuar vendin për “braktisjen e një industrie të së ardhmes” për shkak të kolapsit të FTX.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore