Lajme

Franca mirëpret miratimin e deklaratës për Personat e Pagjetur


Ilustrim

Ambasada e Francës në Kosovë ka mirëpritur miratimin e deklaratës për Personat e Pagjetur në takimin e 2 majit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç’it, në Bruksel.

Ambasada e Francës përmes një statusi në rrjetin e tyre në Twitter ka bërë të ditur se ky mision do të mbështet Qeverinë e Kosovës në trajtimin e rasteve të personave zhdukur konform ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në njërën anë dhe në koordinim me Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në anën tjetër.

“Franca i ka dhuruar së fundmi 100 mijë euro Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të vazhduar punën për personat e zhdukur”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Francës.

Teksti i publikuar i deklaratës nuk flet askund për “Enforced Disappearance (zhdukje me dhunë)” që është termi që njihet nga konventat ndërkombëtare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, por flet për “Missing Persons (Personat e Pagjetur)” dhe në një vend thuhet “forcibly disappeared (të zhdukur me forcë)” që përbën një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç’it, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Arsyeja e rëndësisë së madhe të terminologjisë së përdorur ka të bëjë edhe me Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Dhunë.

Neni 24 i kësaj konvente flet për kompensimin e viktimave.

Pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Me terminologjinë e përdorur në marrëveshje “persons forcibly disappeared” dhe jo siç e përcakton konventa “Enforced Disappearance”, dëmshpërblimi/kompensimi nuk mund të kërkohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore