Shqipëria

Franca merr Presidencën e BE-së – A do të hapen negociatat me Shqipërinë?


Me nisjen e vitit të ri 2022, Franca merr zyrtarisht drejtimin e Bashkimit Evropian, me gjashtë muajt e parë të vitit nën presidencën e saj, ku Emmanuel Macron-in, e presin sfida të shumta, ndër të cilat edhe zgjidhja e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për t’i hapur kështu derën edhe Tiranës zyrtare, mbi nisjen e negociatave me unionin.

Macron, në sytë e të shumtëve, shihet si pasardhësi i ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Në fakt, gjatë kohës kur kjo e fundit ishte ende aktive në politikë, Macron pati relata të shkëlqyera me të dhe shihej si një bashkëdrejtues i unionit krah Merkelit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron

Por, presidenti 44-vjeçar, nuk do ta ketë të tërë rrugën të asfaltuar.

Sllovenia, gjatë mandatit të saj në gjysmën e dytë të vitit 2021, dështoi në çeljen e negociatave me Shqipërinë. Konferenca e parë ndërqeveritare, u shty disa herë në kohë, derisa u bë e pamundur të mbahej brenda vitit.

Vetë Macron, pati lëshuar gjithë trupën e tij diplomatike në vendet e BE-së, për të gjetur zgjidhje mbi çështjen gjatë presidencës sllovene.

Burime pranë Elysee-së për Albanian Post, mësuan drejt mbylljes së vitit se Macron nuk donte të trashëgonte një problem të madh si ai i vetos bullgare. Por, një gjë e tillë ndodhi.

Emmanuel Macron

Tashmë, duhet parë se si do ta japë ai zgjidhjen drejt këtij problemi. Teksa si partner më të fuqishëm brenda bashkësisë, do të ketë një socialdemokrat – kancelarin e sapo zgjedhur të Gjermanisë, Olaf Scholz, politikat e të cilit, ende duhen testuar.

Punë të brendshme

Sa i përket çështjeve brenda unionit, vizioni i Macron është ai i një Evrope të fuqishme në botë.

Uniteti nuk është më çështja sipas presidentit francez, por rritja e sovranitetit strategjik. Kjo gjë, do ta lejojë potencialisht BE-në të veprojë si më e pavarur nga SHBA-të në vendime madhore e me rëndësi të ndryshme për dy aktorët ndërkombëtarë.

Gjithsesi, çështje me interes të përbashkët mbetet ajo e konfliktit Rusi-Ukrainë, ku të dy palët, si pjesë edhe e NATO-s, kanë qëndrim rigoroz ndaj palës ruse dhe kanë paralajmëruar ndërhyrje në rast përshkallëzimi.

Problemi i COVID-19 do të vijojë të mbetet në Evropë, ku Parisi është kthyer në pak ditë një nga vatrat më të nxehta të pandemisë.

Vala e katërt me variantin Omicron në qarkullim, po infekton qindra mijëra qytetarë në ditë e po shton vdekjet.

Në këtë periudhë të vështirë, progresi po shihet me dyshim në spektrin ekonomik. Por, Macron ka premtuar se do të ketë lobim për rritje të pagave minimale brenda kufijve të BE-së.

Sakaq, një samit pritet të mbahet më 10 dhe 11 mars. Data, përkon me periudhën përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Në prill, Macron do të zbresë sërish në betejë dhe përballë, sërish, do të ketë një palë nacionaliste, edhe më të ashpër, të kryesuar nga Eric Zemmour.

Sondazhet e shohin presidentin aktual fitues dhe nëse kjo ndodh, ai do të konfirmohet si një ndër politikanët më të pushtetshëm aktualisht në kufijtë e unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore