Lajme

Franca i afrohet garantimit të abortit si një e drejtë kushtetuese


Franca ka shkuar edhe një hap më afër të qenit i pari vend në botë që garanton abortin si një të drejtë kushtetuese.

Kjo vjen pasi ligjvënësit e atjeshëm kanë miratuar një rezolutë në Dhomën e Ulët për të garantuar aksesin në “të drejtën për t’i dhënë fund vullnetarisht shtatzënisë”.

Në një lëvizje të rrallë ndërpartiake, anëtarët e parlamentit nga partia e majtë La France Insoumise dhe koalicioni qendror i Emmanuel Macron ranë dakord për formulimin e një klauzole që mund të shtohet në Kushtetutë.

Në klauzolë thuhet që “ligji garanton efektivitetin dhe aksesin e barabartë në të drejtën për të ndërprerë vullnetarisht një shtatzëni”.

Në Asamblenë Kombëtare prej 557 anëtarësh, 337 ligjvënës votuan pro dhe 32 kundër, ndërsa 18 abstenuan.

“Është një hap i madh, por është vetëm i pari”, ka thënë Sacha Houlié, nga partia e Macron-it.

Tani, rezoluta duhet të votohet nga Senati, Dhoma e Lartë, e cila ka shumicën në të djathtë dhe që ka votuar kundër një propozimi të parë muajin e kaluar.

Mathilde Panot, udhëheqësja parlamentare e partisë së majtë La France Insoumise, e cila e ka propozuar rezolutën, ka thënë se kishte të bënte me mbrojtjen e abortit të legalizuar kundër çdo lloj “regresioni”.

Sipas saj, do të mjaftonte “vetëm një krizë politike, ekonomike apo fetare që të vihen në dyshim të drejtat e grave”.

Disa parti franceze, nga e majta deri te centristët, kanë nisur të nxisin që të drejtat e abortit të regjistrohen në Kushtetutë pas vendimit të Gjykatës Supreme amerikane në qershor për të përmbysur vendimin historik “Roe kundër Wade”.

Vendimi në fjalë njohu të drejtën kushtetuese të gruas për një abort dhe e legalizoi atë në mbarë vendin.

Këtë javë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e ka quajtur masën “krejtësisht të gabuar”, duke argumentuar se të drejtat e abortit nuk ishin nën kërcënim në Francë.

Por një sondazh i kësaj vere ka zbuluar se 81 për qind e njerëzve nga i gjithë spektri politik francez dëshironin që të drejtat e abortit të mbroheshin më mirë sipas Kushtetutës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore