Lajme

Franca hap kufijtë për udhëtuesit nga Shqipëria


Në një tweet, të enjten e 24 qershorit, Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme në Francë ka përditësuar listën e udhëtarëve që mund të udhëtojnë drejt vendit transalpin, ku mes tyre renditet dhe Shqipëria.

Franca ka hapur kufijtë për udhëtarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Hong Kong-u, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arabia Saudite, Serbia, Tajvani dhe Vanuatu.

Për shkak se në rang kombëtar, Franca njeh autoritetin e EMA-s, për të gjithë të vaksinuarit shqiptarë me vaksinat kineze apo ruse do të nevojitet një test negativ.

Ndërkaq, ajo ka shtuar tre shtete në listën e kuqe: Namibinë, Rusinë dhe Ishujt Seychelles.

Vendet e BE-së

Nga data 24 qershor, Austria është e hapur për shtetasit shqiptarët, pasi ka hequr kufizimet për udhëtimet me Shqipërinë.

Më herët Holanda dhe Danimarka morën vendimin për hapjen e kufijve me Shqipërinë. Kjo, pas vendimit të Këshillit të Evropës më 18 qershor.

Cilat vende janë të hapura për Shqipërinë?

Menaxhimi i pandemisë, vaksinimi në shifra të larta dhe rënia e numrit të të infektuarave me COVID-19 dhe vdekjeve nga virusi, ka bërë që Shqipëria të mos shihet më si zonë e kuqe.

Vazhdimisht, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar për përmirësimin e gjendjes së pandemisë nga Covid-19 në Shqipëri, duke lehtësuar masat.

Të premten Këshilli i Evropës (KE), nën rekomandimin e BE-së, njoftoi për heqjen e kufizimeve të udhëtimit me Shqipërinë.

I pari shtet që njoftoi se do të hapë kufijtë më Shqipërinë ishte Gjermania.

Edhe pse nuk do të duhet më një dokument për arsyen e udhëtimit, ambasada gjermane bëri me dije se “për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është i domosdoshëm një test negativ i COVID ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin”.

Disa orë më vonë edhe shteti fqinj, Greqia, në një njoftim zyrtar, informoi se më 19 qershor do të lejohet të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare, ashtu dhe turistike.

Por edhe në këtë rast, qytetarët shqiptarë duhet të kenë me vete, formularin Plf, certifikatë vaksinimi, test PCR ose test i shpejtë, apo certifikatë e diagnozës pozitive të vlefshme për dy deri në nëntë muaj.

Nga ana tjetër, Çekia ka bërë me dije se Shqipëria tanimë futet te vendet e sigurta për të udhëtuar. Ky vendim është marrë nga Ministria e Jashtme çeke dhe hyn në fuqi të hënën e 21 qershorit.

Gjithashtu, kjo do tu mundësojë qytetarëve shqiptarë lëvizje të lirshme pa asnjë kufizim në Republikën Çeke.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore