Lajme

Franca dhe Gjermania masa ligjore kundër AstraZeneca-s


Qeveria franceze dhe ajo gjermane kanë deklaruar se do të marrin masa ligjore kundër ndërmarrjes farmaceutike AstraZeneca.

Kërcënimi vjen pas vonesave në furnizimin e vaksinave të coronavirus-it.

Aktualisht po zhvillohen bisedimet mes Komisionit Evropian dhe prodhuesit të vaksinave. Shqetësimi kryesor ka qenë ai i devijimit të tyre për në Mbretërinë e Bashkuar (MB).

Bashkimi Evropian (BE) kërkon që AstraZeneca të sigurojë doza nga të dy impiantet e saj në Oxford dhe Staffordshire. Ajo i ka bërë thirrje asaj që t’u japë zgjidhje problemeve të prodhimit në Belgjikë.

Kompania, së fundmi e ka informuar Komisionin se do të jetë në gjendje të ofrojë vetëm 25% të dozave, që priteshin në tremujorin e parë të këtij viti.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Francë, Clément Beaune, është shprehur se kompania mund të përballet me “ndëshkime ose sanksione”. Ndëshkimet do të vijnë nëse do të zbulohet se vaksinat janë dërguar në MB.

“Këto janë akuza të rënda, prandaj nuk realizohen kaq lehtë. Unë nuk jam duke thënë se ka një problem, por nëse ekziston dhe ata kanë favorizuar vende të tjera, atëherë ne do të mbrojmë interesat tona”, thotë Beanue.

Sipas tij respektimi i kontratave është “zotim ligjor” dhe “jo moral”.

Marrëveshja mes BE-së dhe AstraZeneca-s përfshin një paradhënie prej 336 milionë eurosh.

Sipas deklaratave të dala nga kompania, MB-ja duhet të ishte e para që furnizohej me vaksina sepse kontrata kishte kohë që ishte firmosur.

“Nëse rezulton se kompanitë nuk kanë respektuar detyrimet e tyre, ne do të duhet të vendosim pasojat ligjore. Asnjë kompani nuk mund të favorizojë një vend tjetër para BE-së”, tha ministri i Ekonomisë gjermane, Peter Altmaier.

Shpërndarja e vaksinave ka sjellë pakënaqësi dhe në shumë vende të tjera. Shumë prej tyre e kanë kthyer orientimin nga vaksina ruse dhe kineze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore