Lajme

Fotot e fshehta që zbulojnë talentin artistik të muzës së Picasso-s


Për shumë, ajo njihet si “La Femme qui Pleure”, gruaja që qante.

Shqetësimi dhe ankthi i saj u portretizua në një seri pikturash nga Pablo Picasso, për të cilin ishte edhe e dashur, edhe muzë.

Dora Maar, modelja e pikturave, ishte artiste përpara se të takonte të dashurin e saj që do të hidhte një hije të gjatë mbi jetën dhe veprën e saj.

Tani, një koleksion fotografish të panjohura dhe të pabotuara nga Maar, që shënojnë një moment historik në artin dhe historinë evropiane dhe që, më vonë, do të frymëzonin pikturat e saj surrealiste, do të dalë në shitje në Paris.

Ndër to përfshihen edhe fotot e Picasso-s.

Rreth 750 imazhe, shumë prej tyre personale dhe të marra gjatë viteve të saj me surrealistët në Paris në vitet 1920 deri në fund të viteve 1940, po shiten në ankand.

Mes tyre janë edhe disa të Picasso-s, duke përfshirë një reportazh të punës së tij mbi kryeveprën “Guernica”, si dhe imazhet e tij në shtëpi, në studio dhe duke pushuar me miqtë në rivierën franceze.

Artisti, në një prej tyre, është i ulur në një kolltuk të gdhendur nga trungu i një peme ulliri. Kurse në një tjetër, ai duket nën një ombrellë dielli në Antibes në mesin e viteve 1930.

Ishte fati dëshpërues i Maar-it si një artiste femër që të kujtohej kryesisht si një nga të dashurat e refuzuara të Picasso-s.

E lindur në vitin 1907, nga një nënë franceze që zotëronte një butik mode dhe një baba që ishte arkitekt kroat, Maar ishte një fotografe dhe piktore e talentuar.

Ajo e nisi karrierën e saj duke fotografuar modele të modës dhe më pas u zhvendos në reklama.

Fotot e saj të fëmijëve të rrugës në Paris u bëjnë jehonë atyre që u bënë të famshme më vonë nga Robert Doisneau dhe Marilyn Stafford.

Maar, në vitin 1936, kur kishte studion e saj fotografike, u takua me Picasso-n në Paris.

Ai ishte thuajse tri dekada më i madh se ajo, por ndodhi që të kthehej në muzën e tij.

Asokohe, artisti me origjinë spanjolle ishte në një lidhje të gjatë me Marie-Thérèse Walter, nëna e vajzës së tij Maya. Mendohet se ai ka qëndruar me të dyja gratë njëherazi.

Për nëntë vitet e ardhshme, Maar krijoi imazhet e saj. Po ashtu mbushi jetën dhe veprën e të dashurit të saj, duke kapur përparimin e tij në “Guernica” në 1937 dhe madje duke pikturuar një pjesë të vogël të kanavacës.

Disa nga imazhet që do të dalin në ankand do të duken të njohura, pasi kanë ardhur nga të njëjtat fotosesione si fotot e publikuara, por shtëpia e ankandeve Artcurial ka treguar se fotografitë janë kryesisht të papara më parë.

Pas luftës, Maar – e cila u nda nga Picasso në vitin 1945 kur ai e la atë për artisten Françoise Gilot – pësoi një avari të shkurtër dhe thuhet se iu nënshtrua terapisë elektrokonvulsive.

Ndonëse ajo vazhdoi të pikturonte deri në vdekjen e saj në vitin 1997 në moshën 89-vjeçare, jeta e saj u la aq në hije nga e tija saqë gazetës franceze “Le Monde” iu deshën 10 ditë për të dhënë lajmin e vdekjes së saj.

“Teksa Dora Maar kaloi nëntë vjet të jetës së saj përkrah Picasso-s, ajo gjithashtu pati sukses në krijimin e veprës së saj të pavarur dhe personale, duke përdorur një medium që Picasso nuk e përqafoi kurrë: fotografinë”, ka thënë Bruno Jaubert, drejtor i departamentit të artit impresionist dhe modern të Artcurial.

“Si e tillë, Dora Maar mund të shihet si një nga fotografet më origjinale të kohës së saj, një pioniere e vërtetë e mesit të shekullit të XX-të”, ka theksuar ai.

 Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore